Lidhje

Vullnetarët e Korpusit të Paqes kthehen në Shqipëri pas pandemisë Covid-19


Korpusi i Paqes njoftoi sot kthimin e 21 vullnetarëve të parë në Shqipëri në fillim të tetorit, dy vjet pas evakuimit të tyre për shkak të Pandemisë Covid-19.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes kthehen në Shqipëri pas pandemisë Covid-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Në një ceremoni të përbashkët me drejtuesit e arsimit shqiptar, Korpusi i Paqes bëri të ditur se vullnetarët do të japin mësim nëpër shkolla të ndryshme, dhe do të ndihmojnë të rinjtë në çështje shëndetësore dhe sociale.

21 vullnetarët e parë, që kthehen në Shqipëri në fillim të tetorit, do të japin mësim gjuhën engleze në shkollat e Shqipërisë, si dhe do të merren me veprimtari komunitare, si shëndeti i të rinjve, sportet, së bashku me pushtetin vendor dhe shoqërinë civile.

Drejtuesja e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Megan Wilson, tha se vullnetarët gjithmonë kanë gjetur në Shqipëri një mikpritje të jashtëzakonshme nga sistemi arsimor dhe nga komunitetet vendase, duke i marrë ata në shtëpitë e tyre.

“Pas dy vjet mungese, ne do të mirëpresim nëpër komunitetet shqiptare 21 vullnetarët e parë në fillim të tetorit” - tha sot drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Megan Wilson.

Ata do të punojnë në grupe pas-shkollore, grupe sportive dhe edukative, si dhe për çdo ndihmë tjetër, që do t’u kërkohet komunitetet, pushteti vendor dhe veprimtarët vendorë, pohoi ajo.

Ministrja e arsimit, Evis Kushi, shprehu mirëseardhjen e autoriteteve shqiptare për vullnetarët e Korpusit të Paqes, për të cilët tha se kishte admirim për thjeshtësinë dhe humanizimn e tyre dhe se bashkarisht do të bënin vepra të mira, siç u shpreh ajo.

Zonja Kushi tha se vullnetarët e Korpusit të Paqes janë një model i shkëlqyer për rininë shqiptare, që të ndihmojnë shtresat në nevojë, duke treguar mirësinë dhe vullnetarizmin e tyre.

Ajo i krahasoi vullnetarët e Korpusit të Paqes në përkushtim dhe sakrifica me misionin e shenjtores Nënë Terezë, në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Shembulli i Korpusit të Paqes, i vullnetarëve të tij, shkon në të njëjtën linjë dhe rezonancë me mesazhet, veprat dhe mësimet e shenjtores Nënë Terezë. Janë pikërisht vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët jo vetëm ndikojnë në jetën e të tjerëve, por me shërbimin e tyre, ata transformojnë rrënjësisht edhe jetët e tyre” - tha zonja Kushi.

Korpusi i Paqes ka sjellë në Shqipëri, nga viti 1992 e deri sot, mbi 900 vullnetarë, që kanë ndihmuar komunitetet dhe pushtetin vendor për të kapërcyer sfidat e zhvillimit në arsim, ekonomi, shëndetësi dhe në shërbime publike.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes u larguan nga Shqipëria në mars 2020 pas shpërthimit të pandemisë, dhe në historinë 60 vjeçare të kësaj agjencie kjo ishte hera e parë që vullnetarët e saj evakuohen nga gjithë vendet e globit.

XS
SM
MD
LG