Lidhje

Kritiku i burgosur i Kremlinit: Qeveria “nuk ma ka mbyllur gojën”


Opozitari rus, Ilya Yashin
Opozitari rus, Ilya Yashin

Politikani i opozitës ruse Ilya Yashin është në burg, por ai refuzon të heshtë.

Llogaritë e tij në rrjete sociale përditësohen rregullisht me anekdota për jetën e tij në paraburgim ose me video komente që kritikojnë sundimin e presidentit, Vladimir Putin. Ai jep intervista për media nga qelia, duke u dhënë përgjigje me shkrim pyetjeve, përmes avokatëve të tij.

Ai përdor paraqitjet në gjykatë si një mundësi për të folur kundër luftës në Ukrainë, gjë për të cilën ai po ndiqet penalisht.

Deri më tani autoritetet nuk kanë arritur të më mbyllin gojën

“Deri më tani autoritetet nuk kanë arritur të më mbyllin gojën,” i tha zoti Yashin agjencisë “Associated Press” në një letër të gjatë të shkruar me dorë nga një qendër paraburgimi në Moskë, e dërguar përmes avokatëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Opozitari rus, Ilya Yashin
Opozitari rus, Ilya Yashin

“Opozita duhet të thotë të vërtetën dhe të nxisë një rezistencë paqësore kundër luftës… Është shumë e rëndësishme të ndihmojmë njerëzit të kapërcejnë frikën. Por njeriu mund të motivojë njerëzit vetëm me shembullin e tij personal”, shtoi ai.

Zoti Yashin, 39 vjeç, është një nga figurat e pakta të shquara të opozitës që ka refuzuar të largohet nga Rusia pavarësisht presionit të paprecedentë që autoritetet kanë ngritur mbi kundërshtarët, vitet e fundit. Ai thotë se largimi nga Rusia do të kishte ndikuar në autoritetin dhe vlerën e tij si politikan.

Një kritik i ashpër i Kremlinit, aleat i zëshëm i udhëheqësit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny dhe anëtar i një këshilli bashkiak të Moskës, Yashin u arrestua në qershor. Autoritetet e akuzuan atë për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me ushtrinë ruse, një vepër e re penale për të cilën, nëse dënohet ai përballet me 10 vjet burg.

Akuzat kundër zotit Yashin thuhet se lidhen me një video të transmetuar drejtpërdrejtë në platformën “YouTube”, në të cilën ai fliste për ukrainasit që u vranë në periferi të Kievit, Bucha. Ai i hedh poshtë akuzat si të motivuara politikisht.

Të premten, një gjykatë në Moskë e zgjati paraburgimin e tij edhe për dy muaj të tjerë, deri më 12 nëntor. “Mos u shqetësoni, gjithçka është në rregull. Rusia do të jetë e lirë”, tha politikani teksa policia e nxirrte nga salla e gjyqit.

Zoti Yashin i shkroi përgjigjet në pyetjet e “Associated Press” në qelinë e tij të vogël në burgun famëkeq “Butyrskaya” të Moskës, të cilën ai e ndan me disa njerëz të tjerë.

Dita e tij atje fillon në orën 6 të mëngjesit dhe përfundon në orën 22:00, shkruan ai, dhe përfshin një shëtitje, tre vakte, disa inspektime dhe shumë kohë të lirë. Kështu që ai e kalon kohën duke shkruar dhe lexuar.

Javën e kaluar, prindërit e tij e vizituan atë në paraburgim. Nëna e tij, Tatyana, i tha “Associated Press” në një intervistë telefonike se ai “po mbahej mirë dhe nuk pendohej për asgjë”.

Ajo tha se rreziku i arrestimit të djalit të saj ekzistonte prej vitesh, që nga viti 2012, kur arrestimet pasuan protestat masive në Moskë mbi raportet për manipulime të gjera në zgjedhjet parlamentare.

Ajo që e befasoi zotin Yashin ishte se me sa respekt e trajtuan oficerët e zbatimit të ligjit, ata thirrën avokatët e tij për të dhe pas bastisjes e lejuan të paketonte sendet personale për t'i marrë me vete në burg. Njëri shprehu respekt për vendimin e tij për të qëndruar në Rusi pavarësisht rrezikut të arrestimit, ndërsa një tjetër e quajti atë “një armik të denjë”.

Në paraburgim, si të burgosurit ashtu edhe gardianët janë vërtet të habitur kur dëgjojnë se politikani po përballet me 10 vjet burg “për disa fjalë kundër luftës”, shkroi zoti Yashin:

“Në Rusi, gjykatat japin dënime më të shkurtra për vjedhje, sulme, përdhunime dhe ndonjëherë edhe vrasje”.

Me të gjitha protestat e shtypura dhe shumicën e udhëheqësve të opozitës që largohen nga vendi, përhapja e fjalës është bërë përpjekja kryesore për shumë njerëz.

Edhe pse politikani i opozitës, Alexei Navalny është në burg, ekipi i tij vazhdon të publikojë video për korrupsionin dhe bëjnë transmetime të rregullta të drejtpërdrejta në kanalet e politikanit në “YouTube”. Tre kanalet më të njohura aktualisht kanë së bashku mbi 10 milionë abonentë.

Kanali i zotit Yashin në “YouTube”, i përditësuar rregullisht edhe pas arrestimit të tij me analiza lajmesh dhe komente politike, ka afro 1.4 milionë abonentë. Shumica e videove të tij gjatë gjashtë muajve të fundit i janë kushtuar luftës dhe kritikave ndaj Kremlinit për të.

“Kërkesa për një këndvështrim alternativ është shfaqur në shoqëri,” tha zoti Yashin për “Associated Press”.

Denis Volkov, drejtor i “Levadas”, qendrës së pavarur të Rusisë që kryen hulumtime të opinionit, tha për “Associated Pres” se ndikimi i burimeve të pavarura të informacionit në Rusi është rritur vitet e fundit falë publikimit të videove në “YouTube” si alternativë ndaj televizionit shtetëror.

“Njerëzit lexojnë pak, por shikojnë shumë,” tha Volkov.

Ilya Yashin tha si përpara arrestimit dhe gjatë paraburgimit, ai ka parë shumë pak mbështetje për luftën në Ukrainë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të autoriteteve për të kontrolluar debatin dhe për të eliminuar çdo kritikë apo zë kundërshtues.

Kremlini ka këmbëngulur për muaj të tërë se ka mbështetje dërrmuese për sulmin në Ukrainë. Vetëm këtë javë, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov përsëriti edhe një herë se “shumica absolute” e rusëve qëndron pas vendimit për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Prapa hekurave të qelisë, lufta diskutohet gjerësisht dhe në mënyrë aktive, tha zoti Yashin, dhe ato ndahen në dy grupe, pajtimi se Rusia është futur në një krizë të madhe, ose zhgënjimi nga sukseset modeste të Moskës në fushën e betejës.

Jam i bindur se duke u përfshirë në luftë, Putini ka nisur numërimin e ditëve të fundit në pushtet

“Jam i bindur se duke u përfshirë në luftë, Putini ka nisur numërimin e ditëve të fundit në pushtet. Ai dha gjithçka, por i bëri llogaritjet gabim…”

Rreshtat e fundit të letrës së tij nga burgu ofrojnë shpresën e tij për të ardhmen.

“Jam i bindur se vendi im, në fund të fundit, do të bëhet pjesë e një bote të lirë dhe të qytetëruar,” thotë ai.

“Por askush nuk do ta fitojë këtë betejë për ne. Është vetëm përgjegjësia jonë.”

XS
SM
MD
LG