Lidhje

Mijëra njerëz mblidhen për të nderuar Mbretëreshën Elizabeth II


Members of the public gather on the Royal Mile at Cannongate Kirk to watch the hearse carrying the coffin of Britain's Queen Elizabeth, draped with the Royal Standard of Scotland, as it completes its journey from Balmoral to the Palace of Holyroodhouse in
Members of the public gather on the Royal Mile at Cannongate Kirk to watch the hearse carrying the coffin of Britain's Queen Elizabeth, draped with the Royal Standard of Scotland, as it completes its journey from Balmoral to the Palace of Holyroodhouse in

Trupi i mbretëreshës britanike Elizabeth II është marrë nga Kështjella Balmoral në Skoci, ku ajo ndërroi jetë të enjten dhe u zhvendos në Edinburg. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, gjatë ditëve në vijim, publiku do të ketë mundësinë të bëjë homazhe dhe t'i bëjnë nderimet e fundit Mbretëreshës Elizabeth, e cila mbajti fronin britanik për shtatë dekada.

Mijëra njerëz mblidhen për të nderuar Mbretëreshën Elizabeth
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Largimi nga Balmorali, ishte fillimi i udhëtimit të fundit të Mbretëreshës Elizabeth. Kortezhi përshkoi me solemnitet peizazhin madhështor skocez - ku ajo kaloi javët e fundit të jetës.

Në vitet e shkuara, mbretëresha shihej shpesh në këto fshatra të largëta skoceze. Ajo e donte këtë rajon dhe banorët e tij, ia kthenin atë dashuri. Banorët u mblodhën në anë të rrugës për ta parë atë për herë të fundit - dhe për t'i dhënë lamtumirën. Tronditja është ende e freskët. Heshtja u thye butësisht nga valët e duartrokitjeve.

"Ne e kemi njohur gjatë gjithë jetës . Pra, ka qenë e vetmja gjë konstante në të gjithë jetën tonë. Mbretëresha", thotë Stephanie Cook, banore e Ballaterit.

Pas një udhëtimi gjashtë orësh, autokolona mbërriti në kryeqytetin skocez, Edinburg. Përgjatë rrugës Royal Mile mijëra njerëz prisnin të shihnin kortezhin.

“Një moment shumë historik. Unë në fakt jam pa fjalë. Ajo ishte një zonjë e bukur. Nënë dhe gjyshe e mirë. Bëri gjëra të mira. Jam shumë krenare për të”, thotë Fiona Moffat, vizitore në Edinburg.

“Mendoj se është e rëndësishme të jesh këtu. Vetëm e rëndësishme të thuash lamtumirë. Ajo ka qenë në fron për një kohë të gjatë. Po, jam e prekur”, thotë Elaine Robertson vizitore në Edinburg.

Arkivoli do të shtrihet në Katedralen St. Giles të Edinburgut - ku publiku do të ftohet të bëjë nderimet.

Më pas trupi i saj do të dërgohet me avion në Londër të martën. Së pari në Pallatin Buckingham, dhe më pas - në një procesion publik të udhëhequr nga djali i Elizabethës, mbreti Charles III - në sallën Westminster të shekullit të njëmbëdhjetë. Salla do të jetë e hapur 23 orë në ditë për vizitorët dhe do të ruhet nga ushtarë të Shtëpisë Mbretërore.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të udhëtojnë në Westminster për të bërë nderimet e tyre.

“Ajo ka qenë një udhëheqëse shembullore për sa i përket përkushtimit ndaj popullit dhe punës së saj. E veçanta tjetër pastaj e cila është e pashmangshme në të gjitha këto turma dhe shprehje emocionesh, është zotërimi i qëndrueshëm që monarkia britanike mban mbi emocionet e njerëzve në Britani”, thotë Robert Lacey, historian dhe autor librash për mbretërinë.

Funerali është caktuar për të hënën, më 19 shtator, në Westminster Abbey. Më pas arkivoli do të dërgohet në Windsor ku prehet bashkëshorti i mbretëreshës, Princi Philip për ceremoninë e varrimit.

XS
SM
MD
LG