Lidhje

Shumë herët për të thënë nëse kundërsulmimi i Ukrainës është pikë kthese, thotë Gjermania


Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha të mërkurën (14 shtator) se është shumë herët për të thënë nëse përparimet e rëndësishme territoriale të Ukrainës në ditët e fundit shënojnë një pikë kthese në luftën e shkaktuar nga Rusia ndaj fqinjit të saj.

“Kjo është e vështirë të vlerësohet, sepse ne nuk e dimë se si do të reagojnë rusët tani (për kundërsulmin e Ukrainës),” tha ministrja Lambrecht për agjencinë Reuters në një intervistë në ministrinë e mbrojtjes në Berlin.

"Por është padyshim një sukses i jashtëzakonshëm që do të kontribuojë në destabilizimin e Rusisë," shtoi ajo, duke folur për një dobësim të ushtrisë ruse.

Forcat ruse pësuan një disfatë të papritur këtë muaj pasi trupat ukrainase bënë një goditje të shpejtë të blinduar me forcat speciale në rajonin verilindor të Kharkiv, duke detyruar një tërheqje ruse të nxituar dhe kaotike.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy thotë se ushtria e tij ka çliruar rreth 8,000 km territor deri më tani këtë muaj.

Agjencia Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë shtrirjen e plotë të sukseseve në fushën e betejës të pretenduara nga Ukraina.

"Kjo dëshmon se forcat ukrainase janë pozicionuar shumë mirë taktikisht dhe se janë të afta të zmbrapsin sulmet (në një mënyrë) që jo shumë e kishin menduar," tha zonja Lambrecht.

Ukraina i ka kërkuar Berlinit prej muajsh që të furnizojë Kievin me më shumë armë të rënda dhe të fillojë të dërgojë gjithashtu tanke moderne perëndimore, një kërkesë që kancelari gjerman Olaf Scholz e ka refuzuar vazhdimisht.

XS
SM
MD
LG