Lidhje

Putin zotohet të vazhdojë sulmin ndaj Ukrainës 


Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të premten të vazhdojë sulmin ndaj Ukrainës, pavarësisht kundërofensivës së fundit të forcave ukrainase dhe paralajmëroi se Moska mund të intensifikojë sulmet nëse forcat ukrainase vënë në shënjestër termocentralet dhe infrastrukturën tjetër në Rusi.

Duke folur me gazetarët të premten pas pjesëmarrjes në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan, zoti Putin tha se “çlirimi” i të gjithë rajonit lindor të Donbasit në Ukrainë mbetët qëllimi kryesor ushtarak i Rusisë dhe se ai nuk sheh nevojë për ta rishikuar atë.

“Ne nuk jemi në nxitim” tha udhëheqësi rus, duke shtuar se Rusia ka dërguar vetëm ushtarë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë.

Rusia u detyrua të tërhiqte forcat e saj nga zona të mëdha të Ukrainës verilindore javën e kaluar pas një kundërofensive të suksesshme ukrainase.

Operacioni i Ukrainës për të rimarrë kontrollin e disa qyteteve dhe fshatrave të pushtuara nga Rusia shënoi dështimin më të madh ushtarak për Moskën që kur forcat ruse u detyruan të tërhiqeshin nga zonat afër Kievit në fillim të luftës.

I pyetur për kundërsulmin e Ukrainës, zoti Putin u përgjigj: “Do të shohim se si do zhvillohet dhe si do të përfundojë”.

Ai tha se Ukraina ka tentuar të nisë sulme “pranë objekteve tona bërthamore, termocentraleve bërthamore” në Rusi dhe u zotua të bëjë “gjithçka për të parandaluar çdo kthesë negative të zhvillimeve në terren”.

“Ne do të hakmerremi nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë se metoda të tilla janë të papranueshme, ato nuk dallojnë nga terrorizmi”, tha presidenti rus.

Zoti Putin gjithashtu kërkoi të premten të qetësonte shqetësimin e Indisë për konfliktin në Ukrainë, duke i thënë kryeministrit indian Narendra Modi se Moska dëshiron të shohë një fund të shpejtë të luftimeve, duke pretenduar se zyrtarët ukrainas nuk duan të negociojnë, një akuzë e hedhur poshtë nga presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Zoti Zelensky megjithatë ka thënë se tërheqja e trupave ruse nga zonat e pushtuara të Ukrainës është parakusht për fillimin e bisedimeve.

Kina dhe India kanë refuzuar t'iu bashkohen sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ndërsa kanë rritur blerjet e naftës dhe gazit natyror rus, duke ndihmuar Moskën të kompensojë kufizimet financiare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Zoti Putin u takua të premten me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe çështjet rajonale, duke përfshirë një marrëveshje të korrikut të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja që lejoi eksportet e grurit ukrainas të rifillonin nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Duke folur në samitin e Uzbekistanit të premten, udhëheqësi kinez, Xi paralajmëroi fqinjët e tij të Azisë Qendrore që të mos lejojnë të huajt t'i destabilizojnë ata.

Paralajmërimi pasqyron ankthin e Pekinit se mbështetja perëndimore për aktivistët pro-demokracisë dhe atyre të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është një komplot për të minuar Partinë Komuniste në pushtet në Kinë dhe qeveritë e tjera autoritare.

Marrëdhëniet e Kinës me Uashingtonin, Evropën, Japoninë dhe Indinë janë tensionuar nga mosmarrëveshjet rreth teknologjisë, sigurisë, të drejtave të njeriut dhe çështjet territoriale.

Azia Qendrore është pjesë e iniciativës shumë miliarda dollarëshe të Kinës “Një brez, Një rrugë” për të zgjeruar tregtinë duke ndërtuar porte, hekurudha dhe investime të tjera infrastrukturore në një zonë që përfshinë dhjetëra vende nga Paqësori Jugor, Azia, Lindja e Mesme, deri në Evropë dhe Afrikë.

Organizata e Bashkëpunimit të Shangait u themeluar nga Rusia dhe Kina si një reagim ndaj ndikimit të Shteteve të Bashkuara në rajon. Grupi përfshin edhe Indinë, Pakistanin dhe katër vende ish-sovjetike të Azisë Qendrore, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin. Irani është gjithashtu në proces të anëtarësim të plotë.

Të enjten, zoti Putin zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentin Xi, duke e falenderuar këtë të fundit për “qëndrimin e ekuilibruar” të qeverisë së tij për luftën në Ukrainë, ndërsa shtoi se ai ishte gati të diskutonte “shqetësimet” e Kinës për Ukrainën, ndonëse Kina nuk ka treguar se çfarë shqetësime ka për këtë luftë.

Presidenti Xi, në një deklaratë të lëshuar nga qeveria e tij, shprehu mbështetjen për “interesat thelbësore” të Rusisë, por gjithashtu tregoi interesim për të punuar së bashku për të "injektuar qëndrueshmëri" në çështjet botërore.

Li Xin, drejtor i Institutit të Studimeve Evropiane dhe Aziatike të Universitetit të Shkencave Politike dhe Ligjit të Shangait, vuri në dukje se Pekini dëshiron një fund të negociuar të luftës në Ukrainë, duke shtuar se “Kina nuk do të gjykojë nëse operacioni special ushtarak i Rusisë është i drejtë apo jo.”

XS
SM
MD
LG