Lidhje

Ukraina thotë se raketa ruse goditi afër një centrali bërthamor


Një sulm raketor rus goditi një objekt afër një centrali bërthamor në Ukrainën jugore të hënën, duke mos shkaktuar dëme në reaktorët e tij, por duke dëmtuar pajisje të tjera industriale, në atë që operatori i energjisë atomike e cilësoi si një akt të "terrorizmit bërthamor".

Energoatom, që drejton centralet bërthamore të Ukrainës, tha se sulmi u krye të hënën herët një kompleks industrial që përfshin centralin bërthamor Pivdennoukrainsk, në rajonin jugor të Mykolaivit.

Energoatomi tha se raketa goditi vetëm 300 metra larg centralit, duke shkaktuar një shpërthim që theu më shumë se 100 dritare në ndërtesat e kompleksit industrial.

Sulmi shkaktoi gjithashtu mbylljen e përkohshme të një hidrocentrali aty pranë, por nuk ndikoi në reaktorët e centralit bërthamor, tha Energoatom, duke e quajtur sulmin një akt "terrorizmi bërthamor".

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm të ministrisë ruse të Mbrojtjes për sulmin.

Centrali Pivdennoukrainsk, i njohur gjithashtu si Centrali Bërthamor i Ukrainës Jugore, ndodhet përgjatë lumit Bug rreth 300 kilometra në jug të Kievit. Ai është centrali i dytë më i madh bërthamor i Ukrainës me tre reaktorë.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, është pushtuar nga forcat ruse që në ditët e para të agresionit dhe në mënyrë të përsëritur u vu nën sulme që ndërprenë linjat e tij të transmetimit dhe përfundimisht i detyruan operatorët ta mbyllnin atë për të shmangur ndonjë fatkeqësi. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra tjetrën për bombardimet.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, që ka vëzhguar centralin në Zaporizhzhia, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi sulmin e sotëm.

XS
SM
MD
LG