Lidhje

Siguria kibernetike në zhvillimin e qyteteve, pjesë e një konference rajonale në Shqipëri


Qytetet inteligjente janë e ardhmja, ndërsa jetesa e qytetarëve mund të përmirësohet përmes rritjes së sigurisë kibernetike.

Shqipëri, konferencë mbi qytetet inteligjente dhe sigurinë kibernetike
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:01 0:00

Ky është një nga përfundimet e konferencës rajonale “Smart Cities, ku morën pjesë një seri qytetesh nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe kompani botërore të teknologjive elektronike.

Sulmet kibernetike, që Irani kreu ndaj Shqipërisë gjatë verës, u cilësuan si veprimtari dashakeqe, të cilat i kanë nxitur qeveritë demokratike aleate të bashkëpunojnë më fort në fushën e sigurisë.

Folësit kryesorë në konferencën rajonale “Qytetet inteligjente” theksuan se zhvillimi teknologjik sulmohet gjithmonë nga veprimtaria keqdashëse e grupeve kriminale dhe regjimeve autoritare, ndaj siguria kibernetike mbetet gjithmonë në krye të sfidave.

Zyrtarja e Departamentit amerikan të Tregtisë për Europën Juglindore, Pamela, Ward, thotë se sfidat aktuale botërore janë klima, energjia dhe siguria, të cilat ndeshen edhe në nivel vendor, ndaj nëpër qytete duhet punuar për teknologji që sigurojnë kushte më të mira, më të sigurta jetese.

“SHBA janë të vendosura të kenë një rol udhëheqës në këto përpjekje, dhe të jenë partnerë me ata, që kanë të njëjtat qëllime. Qytetet inteligjente përballin këto sfida, ndaj dialogu ndërkombëtar, si ky i sotmi në konferencë, do t’i bëjë bashkë industritë dhe udhëheqësit në gjetjen e zgjidhjeve dhe burimeve për të tejkaluar këto sfida dhe për të maksimalizuar mundësitë, duke ngritur më lart standartet e sigurisë kibernetike” - thotë zonja Ward.

Nisma për qytetet inteligjente ka marrë mbështetje të fortë nga SHBA dhe nga BE.

“Për Ballkanin Perëndimor projekte si qytetet inteligjente mund të duken si ëndërrime, por kompani të njohura botërore po shpjegojnë në Tiranë hapat konkretë si ato mund të bëhen realitet në një kohë të afërt” - thotë Enio Jaço, presidenti i dhomës amerikane të tregtisë, bashkorganizator i konferencës.

SHBA po ndihmojnë me ide dhe konkretizim projektesh se si të përmirësohet jetesa e qytetarëve përmes rritjes së sigurisë së tyre.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, thotë se teknologjia duhet të punojë për demokracinë, për lirinë e internetit, dhe privatësinë dhe sigurinë e qytetarëve, që kërcënohen nga regjimet autoritare, që përgatitin sulme kibernetike në dëm të njerëzve dhe keqpërdorin të dhënat e qytetarëve.

“Jam krenare që po e ndihmojmë Shqipërinë me masat e sigurisë kibernetike para, gjatë dhe në vazhdim të sulmeve kibernetike të Iranit ndaj popullit dhe qeverisë shqiptare. SHBA është duke bashkëpunuar me aleatët dhe partnerët për të mbrojtur vendet tona nga veprimet keqdashëse përmes teknologjive. Është e nevojshme që të forcohet partneriteti mes qeverive dhe sektorit privat për të mbajtur të sigurta njerëzit, bizneset dhe demokracitë tona” - tha ambasadorja Kim.

Sulmet kibernetike të Iranit gjatë kësaj vere kishin pasoja në shkallë kombëtare dhe në nivel vendor.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, theksoi se sulmet kibernetike nga Irani cënuan jetën e kryeqytetit.

“Ky sulm kibernetik nga Irani nuk është i keq vetëm në pikëpamja politike, por edhe dëmtoi disa nga shërbimet bashkiake gjatë korrikut dhe gushtit, sepse qytetarët nuk merrnin dot dkumenta, licenca dhe taksa elektronike, ndaj bashkitë duhet të përgatiten për të gjetur zgjidhje” - thotë zoti Veliaj.

Ndërsa ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Kristiane Hohman, theksoi se edhe në Shqipëri qytetet po zmadhohen dhe njerëzit po vijnë ne qendrat e mëdha për të kërkuar më shumë mëdësi punësimi, shkollimi, por edhe sfidohen nga mungesa e qetësisë, nga ajri i ndotur, çmimet e larta të jetesës dhe kriminaliteti.

“Njerëzit shqetësohen për jetën në qytete, sepse aty do të jetojnë familjet e tyre në të ardhmen. Për fat të mirë, kërkimet shkencore dhe tranzicioni digjital kanë ofruar mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi, për ato që quhen qytete inteligjente, të cilat mund të shfrytëzohen në maksimum” - thotë zonja Hohman.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim po trajton aktualisht programin e Qytetet e Gjelbërta, i cili ndihmon qytetet të identifikojnë shqetësimet e mjedisit, që lidhen me investimet në infrastrukturë

“Ndryshimet klimatike dhe krizat energjitike aktuale duhen kuptuar dhe studiuar me kujdes; nga një anë janë objektivat e klimës, nga ana tjetër janë objektivat ekonomike” - thotë Mark Bowman, zv.president I BERZHIT, duke tërhequr vëmendjen se për problemet afatshkurtra duhen kërkuar zgjidhje të gjelbërta, dhe se ato nuk duhet të shmangin objektivat afatgjata në mbrojtjen e natyrës.

Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe ambasada amerikane në Shqipëri organizuan për herë të parë në Ballkanin Perëndimor konferencën rajonale “Qytetet Inteligjente” për të nxitur në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente, dhe për të modernizuar shërbimet publike.

Konferenca, ku marrin pjesë 20 bashki nga 6 vende të Ballkanit perëndimor, po mbahet ndërkohë që Shqipëria sapo kaloi disa sulme kibernetike nga Irani, që nxorën në pah nevojën për të rritur shkallën e sigurisë në këtë fushë.

XS
SM
MD
LG