Lidhje

100 vjetori i marrëdhënieve shqiptaro - amerikane, në konferencën e Institutit të Historisë


Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve u cilësuan nga historinë prej të dy vendeve si jetike për pavarësinë, integritetin dhe demokracinë shqiptare.

Instituti i Historisë në Tiranë zhvilloi sot një konferencë shkencore, ku u analizuan marrëdhëniet shqiptaro- amerikane gjaë një shekulli, qysh kur ato nisën më 1922 deri sot.

100 vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA, konferencë shkencore në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:31 0:00

Studiuesit pohuan se SHBA nga viti 1919 gjatë Konferencës së Paqes dhe aktualisht kanë qenë gjithmonë mbështetëse të pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë, një shtet i vogël me pavarësi dhe territor të pakonsoliduar.

Gjatë konferencës shkencore të Institutit të Historisë, ku morën pjesë shumë studiues nga Shqipëria dhe SHBA, historiani i njohur, Beqir Meta, thotë se mbështetja e vazhdueshme amerikane ka mbizotëruar në këto marrëdhënie, edhe pse regjimi komunist vendosi të izolohej plotësisht, ndërsa diaspora shqiptare në Amerikë dhe qeveria amerikabe ka dhënë një ndihmesë të madhe, kanë qenë dhe janë shpresë për popullin shqiptar.

“Përfitimi më i madh i Shqipërisë është mbështetja e demokracisë, ku SHBA kanë qenë dhe janë sponsori kryesor më i rëndësishëm i këtyre ndryshimeve. Më e rëndësishmja në këto marrëdhënie, e ndoshta më parësorja është mbështetja e pavarësisë së Kosovës dhe lirimi i Kosovës nga forcat serbe” - thotë historiani Meta.

Mbështetja që presidenti amerikan Wdrow Willson i dha shtetit të ri shqiptar përmendet në të gjithë veprimtaritë e këtij 100-vjetori të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ambasadorja amerikanë Shqipëri, Yuri Kim, thotë se aty nisi lidhja e fortë shqipt-amerikane, e cila vazhdon nëpër dekada derisa dy vendet u bënë aleatë në NATO, anëtarë në këshillin e Sigurimit në OKB, si dhe partner për të kontribuar në sigurinë europiane, dhe në përgjigje të krizave humanitare.

Gjatë regjimit komunist, kur Shqipëria u izolua, populli shqiptar dhe ai amerikan kurrë nuk e harruan miqësinë mes tyre, thotë ajo.

“Viti 1991 shënoi një fillim të ri, për këto marrëdhënie. Afro 300 mijë shqiptarë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të thënë se ju jeni me ne dhe ne jemi me ju, dhe për të dëgjuar sekretarin Bejker kur tha se Liria jep Rezultate. Këto mesazhe janë aktuale edhe sot, kur 31 vjet pas kolapsit të komunizmit ende ka aq shumë punë për të bërë, pasi ka hyrë në NATO dhe po nis negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian" - thotë ambasadorja Kim.

Historiania Ledia Dushku theksoi se nga njohja e shtetit shqiptar në vitin 1922 e deri në vitin 1939 marrëdhëniet shqiptaro-amerikane u përshkallëzuan si shumë të frytshme, ndërsa Shqipëria mbështeti nismat amerikane për paqen në arenën ndërkombtare.

“Qysh nga fillimi, nga viti 1922, palët treguan vullnet të mirë për të bashkëpunuar me njëri tjetrin, duke mos lënë asnjë çështje të pazgjidhur si në aspektin juridik ashtu edhe në imazhin që shqiptarët kishin për SHBA-të. Të gjithë qeveritë shqiptare kanë njohur kontributin e Amerikës në Konferencën e Paqes dhe kanë patur një qasje positive ndaj ndikimit amerikan në Shqipëri, pavarësisht se në aspektin arritën të përfshivende të tjera si Italia dhe Britania” - thotë zonja Dushku.

Më pas erdhën Lufta e Dytë Botërore, pushtimi fashist e nazist dhe izolmi i thellë, që realizoi regjimi komunist.

Drejtuesi i Institutit të Historisë, thotë se pas rënies së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve në Rumani, Shqipëria u vendos nën presione të mëdha për të bërë ndryshime në politikën e brendshme dhe në qëndrimet ndaj SHBA-ve dhe perëndimit demokratik.

“Shqipëria nuk ishte më një nga vendet komuniste, por kishte mbetur vendi i fundit komunist në Europë. Ishte bastion i fundit dhe si e tillë u ndesh me presione të shumëfishta; të brendshme si ngjarjet në Shkodër e Kavajë dhe kriza e madhe e ambasadave. Po ashtu ishte rritur edhe presioni ndërkombëtar si Zëri i Amerikës, si dhe një numër i madh apelesh ndërkombëtare në lidhje me liritë politike e fetare, kushtet e aderimit në KSBE (OSBE), si dhe kushtëzimi i reformave me bashkëpunimin ekonomik. Regjimi nuk hapi rrugën për ndryshime, por ndonëse bëri disa lëshime, nga ana tjetër u përpoq që të ruante kontrollin mbi ndryshimet” - thotë zoti Krasniqi.

Studiuesi i njohur, Janush Bugajski nga Jamestoun Foundation, thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA gjatë dekadave të regjimit komunist ishin në ngrirje të thellë, derisa Shqipëria iu kthye institucioneve demokratike, pluralizmit politik, e mbështetur kryesisht nga SHBA, si dhe nga demokraci të tjera europiane.

Për Uashingtonin, sipas tij, ishin shqetësuese polarizimi partiak, që solli bojkotim kuvendesh dhe zgjedhjesh dhe akte dhune, të cilat frenuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimeve euro-atlantike, sidomos drejt BE-së.

"Problemi i dytë më i rëndësishëm, lidhur ngushtë me polarizimin politik është përhapja e korrupsionit të zyrtarëve, si dhe mbajtja e pushtetit me zakonet e vendeve ish komunisste përmes rrjeteve klienteliste dhe të patronazhisteve, që ndikojnë në zbehjen e transparencës dhe i hap rrugën biznesmenëve në politikë" - thotë zoti Bugajski.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane vlerësojnë si shumë të mira, dhe Shqipëria e ka shpallur SHBA si partner strategjik, tek i cili mbështetet për çdo reformë, projekt, apo investim që lidhen me forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG