Lidhje

Putin nënshkruan traktatet për aneksimin e 15% të territorit të Ukrainës


Presidenti rus Vladimir Putin dhe krerët e katër rajoneve të Ukrainës nënshkruan sot në Kremlin traktatet që shënojnë fillimin e procesit për aneksimin nga Rusia të disa pjesëve të Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Veprimi përfaqëson një përshkallëzim të fortë të konfliktit në Ukrainë, një luftë që vazhdon tashmë prej shtatë muajsh.

Nënshkrimi ndodh tre ditë pas përfundimit të referendumeve të orkestruara nga Kremlini për bashkimin me Rusinë, të cilat u hodhën poshtë nga Kievi dhe Perëndimi duke u cilësuar si grabitje e hapur territori, nën kërcënimin e armëve, e bazuar në gënjeshtra.

Rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore janë mbështetur nga Moska që kur ato u vetëshpallën si të pavarura në vitin 2014, disa javë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë, një territor i Ukrainës. Rajoni jugor i Khersonit dhe një pjesë e Zaporizhias fqinje u pushtuan nga Rusia menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Të dyja dhomat e parlamentit rus të kontrolluara nga Kremlini do të mblidhen javën e ardhshme për miratimin e traktateve, që parashikojnë bashkimin e ketyre rajoneve me Rusisë. Dokumentet do t'i dërgohen për firmë përfundimtare presidentit Putin.

Pas këtij hapi të Kremlinit, Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky njoftoi se vendi i tij ka dorëzuar kërkesën për "anëtarësim të përshpejtuar" në aleancën ushtarake të NATO-s.

Pas vendimit të Kremlinit, presidenti Ukrainas Zelenski njoftoi se po dorëzon kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar të vendimit të tij në NATO. Në një reagim mbi këtë çështje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “aleanca i ka dyer e hapura, por ky është një proces që do të kërkojë dhe konsensusin e 30 vendeve anëtare. Ai shtoi se aneksimi nuk do ta ndryshojë natyrën e konfliktit dhe se NATO do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainen për sa kohë që jetë nevojshme".

Zoti Stoltenberg akuzoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin se po provokon “përshkallëzimin më serioz” të luftës në Ukrainë që nga fillimi i saj, por shtoi se nuk do t’ia dalë mbanë që ta dekurajojë aleancën të mbështesë Kievin.

Kemi mobilizimin në Rusi, të kombinuar me retorikën e rrezikshme bërthamore dhe tashmë aneksimin e sotshëm të paligjshëm, apo përpjekjen për të ankesuar pjesë të Ukrainës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sot, ky është përshkallëzimi më serioz i konfliktit që nga fillimi, dhe synimi i Presidentit Putin është të na dekurajojë nga mbështetja për Ukrainën. Por, ai nuk do t’ia dalë me sukses”, tha zoti Stoltenberg gjatë një konference për shtyp.

Ai foli pasi presidenti rus shpalli aneksimin e një territori të gjerë ukrainas gjatë një ceremonie në Kremlin, ku premtoi triumfin e “operacionit special ushtarak” ndaj Kievit, megjithëse forcat ruse janë duke u përballur me mundësinë e humbjes.

Shpallja e Presidentit Putin të marrjes së gati 15% të territorit të Ukrainës - aneksimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore - është refuzuar me vendosmëri nga vendet perëndimore dhe madje edhe shumë nga aleatët e ngushtë të Rusisë.

Zoti Stoltenberg tha se ky veprim i Rusisë ishte "përpjekja më e madhe për aneksimin e territorit evropian me forcë që nga Lufta e Dytë Botërore", duke shtuar se një zonë afërsisht sa madhësia e Portugalisë ishte "kapur ilegalisht nga Rusia me forcën e armëve".

"Referendumet e rreme u krijuan në Moskë dhe iu imponuan Ukrainës në shkelje totale të ligjit ndërkombëtar. Kjo grabitje e tokës është e paligjshme”.

Aleatët e NATO-s nuk e njohin dhe nuk do të njohin asnjë pjesë nga ky territor si pjesë e Rusisë”, shtoi ai. "Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të refuzojnë përpjekjet flagrante të Rusisë për pushtim territoresh. Këto toka janë Ukrainë".

Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të paraqesin sot pasdite për miratim një projekt-rezolutë, e cila dënon ato që janë quajtur “referendume të rreme”. Nëpërmjet rezolutës u bëhet thirrjeve anëtarëve të Këshillit të mos njohin asnjë vendim që ndryshon statusin e Ukrainës si dhe të detyrojnë Rusinë që të tërheqë trupat nga Ukraina.

Gjasat janë që Moska të përdorë veton për të bllokuar rezolutën, një veprim që do të bënte të mundur kalimin e kësaj çështjeje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Një strategji e ngjashme pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, arriti të sigurojë mbështetjen e 100 vendeve kundër agresionit rus.

Më herë gjatë ditës së sotme ndërsa Moska përgatitej për aneksimin e katër territoreve ukrainase, forcat ruse goditën me artileri disa autokolona humanitare pranë qyteteve të Zaporizhias dhe Mikolaivit.

Sipas zyrtarëve si pasojë u vranë rreth 26 persona dhe u plagosën rreth 40 të tjerë. Në aumjetet e goditura udhëtonin njerëz që ishin nisur drejt zonave të pushtuara, për të shpëtuar familjarë të tyre.

XS
SM
MD
LG