Lidhje

SHBA pritet të njoftojë një pako të re ndihmash ushtarake për Ukrainën


High-Mobility Artillery Rocket System (HIMARS )
High-Mobility Artillery Rocket System (HIMARS )

Pakoja e re e ndihmës për sigurinë e administratës së Presidentit Biden për Ukrainën pritet të përfshijë sistemin HIMARS të raketave, municione, mina dhe automjete rezistente ndaj minave, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters të hënën dy burime të informuara për paketën prej 625 milionë dollarësh.

Pakoja e re armëve, që pritet të njoftohet të martën, është ndihma e parë e këtij lloji që nga aneksimi së fundmi nga Rusia i territorit ukrainas.

Aneksimi i katër provincave ukrainase nga Rusisë pasoi referendumet për bashkim me Moskën në zonat e pushtuara të Ukrainës. Qeveritë perëndimore dhe Kievi thanë se referendumet shkelnin ligjin ndërkombëtar, u organizuan me forcë dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e banorëve.

Pjesë e pakos së re të armëve pritet të jenë katër sisteme të raketave HIMARS, rreth 200 automjete rezistente ndaj minave, municione për artelirinë e rëndë (Howitzer) dhe mina, që mund të dërgohen në Ukrainë në ditët në vijim.

Kjo është pakoja e pare e ndihmës ushtarake për Ukrainën e vitit të ri fiskal të vitit 2023 të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që hyri në fuqi më 1 Tetor dhe që lejon Presidentin Joe Biden të tërheqë armë të tepërta me vlerë deri në 3.7 miliardë dollarë për transferim në Ukrainë deri në mes të dhjetorit.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan një pako armësh prej 1.1 miliardë dollarësh për Ukrainën që përfshinte 18 sisteme raketash HIMARS, municione shoqëruese, lloje të ndryshme sistemesh kundër dronëve dhe sisteme radarësh.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte mbi pakon e re të armëve.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se paketa e armëve mund të ndryshojë në vlerë dhe përmbajtje deri në minutën e fundit.

Ky njoftim do të rriste ndihmën ushtarake amerikane në 16.8 miliardë dollarë që kur Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës më 24 shkurt.

XS
SM
MD
LG