Lidhje

Prova me raketë balistike e Phenianit sjell reagimin e SHBA-së dhe aleatëve në rajon


Koreja e Veriut kreu të martën një provë me raketë balistike që përshkoi distancën më të gjatë ndonjëherë, duke kaluar mbi Japoni. Ishte raketa e parë e Koresë së Veriut që ndoqi një trajektore të tillë që nga viti 2017, dhe rrezja e veprimit të saj që vlerësohet të jetë 4,600 km ishte më e gjata e përshkuar në një prove me raketë të Koresë së Veriut.

Në përgjigje të provës, avionët luftarakë të SHBA-së dhe Koresë së Jugut praktikuan bombardimin e një objektivi në Detin e Verdhë, në një demonstrim force.

Japonia paralajmëroi banorët që të strehoheshin dhe pezulloi disa shërbime treni ndërsa raketa kaloi në veri të vendit, përpara se të binte në Oqeanin Paqësor.

Ishte gjesti i fundit i demonstrimit të forcës në rajon. Koreja e Veriut ka kryer pesë prova me raketa në 10 ditët e fundit.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur gjithashtu stërvitje të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, dhe një vizitë në rajon nga nënpresidentja amerikane Kamala Harris, e cila vizitoi zonën e çmilitarizuar të kufirit midis Koreve dhe akuzoi Phenianin për sabotim të sigurisë.

Koreja e Veriut akuzon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj se stërvitjet e tyre ushtarake, përbëjnë kërcënim për të.

Si përgjigje ndaj provës së Phenianit të martën, një avion i Forcave Ajrore të Koresë së Jugut F-15K goditi një objektiv në brigjet e tij perëndimore, gjë që ushtria e Koresë së Jugut e quajti një demonstrim të preçizionit të aftësisë goditëse kundër provokimeve të Koresë së Veriut.

Japonia tha se nuk ndërmori asnjë veprim për të rrëzuar raketën, por ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se nuk do të përjashtonte asnjë alternativë, përfshirë aftësitë kundërsulmuese, ndërsa përpiqet të forcojë mbrojtjen e saj përballë provave me raketa nga Koreja e Veriut.

Koreja e Jugut tha gjithashtu se do të forcojë ushtrinë e saj dhe do të rrisë bashkëpunimin me aleatët.

Shtetet e Bashkuara e dënuan provën me raketë si një veprim "të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm" nga Koreja e Veriut.

"Ky veprim është destabilizues dhe tregon shpërfilljen e hapur të Koresë së Veriut për rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe normat ndërkombëtare të sigurisë," tha në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar Adrienne Watson.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi telefonata me homologët e tij koreano-jugorë dhe japonezë gjatë të cilave ata "dënuan ashpër" provën.

XS
SM
MD
LG