Lidhje

Kosovë, reagime ndaj vendimit të qeverisë për të mos paguar punonjësit e arsimit që ishin në grevë


Florim Isufi është profesor i historisë në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Ai është rikthyer në shkollë për të dhënë mësim pas më shumë se një muaji greve të organizuar nga sindikatat e arsimit, me kërkesën për mbështetje financiare të mësimdhënësve për shkak të rritjes së çmimeve. Por në vend të mbështetjes, ai dhe kolegët e tij nuk i kanë marrë pagat e muajit shtator, pasi qeveria ka vendosur të mos i paguajë punonjësit e arsimit për shkak të grevës.

Nuk i kemi marr. Kush ka pas nga datat 30 deri më datën katër ju kanë ardhë mesazhet në mesin e tyre jam edhe unë, që kam pasur me datën 30 për të dorëzuar mjetet për kredi dhe dje më ka ardhë mesazhi prapë nga banka. Paga nuk më ka dal dhe ka qenë dashur të hyjë në borxh për t’i dorëzuar sepse nuk më pret banka”, tha ai.

Kosovë, reagime ndaj vendimit të qeverisë për të mos paguar punonjësit e arsimit që ishin në grevë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:25 0:00

Qeveria e Kosovës paralajmëroi më herët se grevistët nuk do të paguhen për muajin shtator, meqë nuk kanë punuar.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës i tha Zërit të Amerikës se për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre dhe se sipas tij paga mujore është kompensim për punë. Ai tha se në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për grevat.

Qeveria po i referohet pikës një të nenit 18 të ligjiit për grevat ku thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës”.

Profesori Isufi thotë se askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë pagën dikujt.

Nuk bën të luhet me arsimin, është luajtur boll me reforma e gjëra të tilla, mjaft më dhe e kisha lut qeverinë që t’i bie vetes mbas dhe ta dijë se po e shkatërron vendin dhe njerëzit po ikin për çdo ditë”, tha profesori Isufi.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj thotë se qeveria e Kosovës nuk po e lexon në tërësi ligjin për grevat.

Qeveria e ka lexuar gabimisht nenin 18 dhe nuk ka dashur të lexojë nenin 13 i cili nuk është heq nga ligji, do të thotë ekziston dhe është valid dhe thotë se nuk mund të ketë ndëshkime të asnjë lloji, të asnjë natyre madje të asnjë ndëshkimi material”, thotë zoti Jasharaj.

Ai thotë se veprimet e qeverisë janë kërcënuese dhe synojnë ndëshkimin e sindikatës së arsimit pasi sipas tij punëtorët e administratës publike tashmë kanë marrë pagat megjithëse edhe ata kanë qenë në grevë së bashku me mësimdhënësit.

Qëllimi është që edhe të goditemi me mungesë të pagave por edhe që gradualisht në mos po shuhemi dhe që qeveria pastaj të bëj çfarë t’i teket edhe me arsimin edhe me sektorë të tjerë. Thjesht pra është një tendencë jodemokratike që të shuhet zëri sindikalist në Republikën e Kosovës”, tha zoti Jasharaj.

Zoti Jasharaj thotë se nëse rrogat nuk ndahen deri në pasditen e 5 tetorit kur edhe është afati i fundit për ekzekutimin e pagesave, do të shqyrtojnë masat e radhës kundrejt situatës.

Çdo gjë që mund të ndodh tani e tutje është e paparashikuar sepse edhe po të thoshin ligjet se nuk duhet paguar për grevë, qeveria do të duhej ta bënte një gjest të vullnetit të mirë”, tha ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ndalja e pagave është vendim i kundërligjshëm që cënon jo vetëm të drejtat e punëtorëve në arsim, por edhe dinjitetin e tyre. Ai thotë se neni një i ligjit për grevat përcakton të drejtat dhe liritë e grevistëve në pajtim me ligjin e zbatueshëm dhe standardet ndërkombëtare.

Në nenin një nuk flitet për detyrimet e grevistëve por flitet për të drejtat dhe liritë e grevistëve. Pastaj nëse e marrim dhe lexojmë ligjin ka edhe një mori të tjerash të dispozitave të cilat e ndalojnë, do të thotë nuk e lejojnë që qeveria të marr masa represive duke ua mohuar të drejtat, privilegjet dhe beneficionet që i marrin nga marrëdhënia e punës nga kontrata e punës”, tha ai.

Ai tha se fryma e ligjit për greva duhet të lexohet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Qeveria nuk mundet të interpretojë vetëm një nen që i përshtatet sot për interesa ditore dhe të anashkalojë krejt ligjin dhe qëllimin e tij dhe të anashkaloj në fund të fundit të drejtën e garantuar me kushtetutë që është liria e asocimit, ku liria e asocimit në sindikatë do të thotë hynë në kuadër të drejtave në të cilat shtete kanë investuar jashtëzakonisht shumë dhe mu kjo e drejtë ka sjellë ndryshime shoqërore së paku në 100 vjetët e fundit nëpër botë”, tha ai.

Mosndarja e pagave ka ngjallur reagime të opozitës dhe Këshillit të Prindërve të Kosovës, të cilët po i bëjnë thirrje qeverisë që të shmangë një krizë tjetër të mundshme në fushën e arsimit.

XS
SM
MD
LG