Lidhje

Në verilindje të Shqipërisë erozioni malor po dëmton infrastrukturën publike


Reshjet e dendura, që përfshinë gjithë zonën malore në verilindje të Shqipërisë gjatë dhjetë ditëshit të fundit të shtatorit, kanë nxjerrë në dukje pasojat e rënda që shkakton erozioni malor. Në zona të tilla si Tropoja, Mirdita, Vau i Dejës apo fshati turistik i Thethit, jo vetëm që u rrezikua jeta dhe pasuria e disa familjeve, por infrastruktura urbane pësoi dëme të konsiderueshme. Eksperti i mjedisit, Mark Rupa, thotë se fenomeni pati një shtrirje të gjërë dhe se komunitetet lokale duhet të mbrojnë natyrën.

Erozioni dëmton infrastrukturën publike në verilindje të Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Gjatë muajit shtator kemi shumë humbje jete në të gjithë basenin e Mesdheut si pasojë e përmbytjeve. Fatmirësisht, në Shqipëri nuk pat raste të tilla, por ne duhet të jemi të gatshëm që, duke mbrojtë natyrën, duke e pyllëzu, duke e rritë vlerën e sipërfaqeve tona natyrore, të ruajmë jetën tonë, mirëqenien dhe do të kemi një të ardhme më të sigurtë në territoret ku banojmë”, thotë ai.

Erozioni malor, thotë eksperti Rupa, është mjaft problematik pasi varfëron tokën, ndryshon relievin e zonës duke dëmtuar infrastrukturën dhe banesat. Ndërsa për profesorin e gjeografisë, Ervis Krymbin, po vërehet një çrregullim i fenomenit të reshjeve pasi, brenda ditës bien reshjet e tre apo katër muajve.

Jemi mësuar që të shikojmë përmbytje në zonën e Nënshkodrës apo në rrethinat e Shkodrës, por përmbytja këtë herë u has pikërisht në zonën malore. Ka disa arsye që ndodh ky fenomen. Së pari, ka një shpyllëzim jashtëzakonisht shumë të madh të zonave malore dhe, normalisht, kur ka shpyllëzim hasim me këto fenomene negative, që ndodhin në territor, si përmbytja apo fenomeni i erozionit të tejskajshëm”, thotë ai.

Zona malore në veri të Shqipërisë ka sipërfaqen më të madhe me pyje, por, gjatë 30 viteve të fundit, ajo është dëmtuar ndjeshëm për shkak të prerjeve të jashtëligjshme, shfrytëzimit pa kriter dhe zjarreve thuajse të përvitshëm. Sipas ekspertit Rupa, përveç temperaturave të pazakonta të shtatorit, reshjeve të shumta, ndërtimit të hidrocentraleve lokale që kanë ndryshuar rrjedhën e ujërave malore, shkak për erozionin malor është edhe dëmtimi, përgjatë viteve, i mbulesës pyjore.

Zjarret e shkaktuara vitet e fundit nga njerëzit apo natyra kanë ekspozu sipërfaqe të jashtëzakonshme në Shqipëri, sipërfaqe që kërkojnë ndërhyrje urgjente përmes masave të gjelbra, mbjelljeve, por edhe sistemimeve malore me prita malore, me pyllëzime apo me sistemime”, thotë ai.

Për këto, thotë eksperti Rupa, është e nevojshme të angazhohen jo vetëm specialistët, por edhe vetë komunitetet lokale, ndërsa shteti mund të ndërmarrë skema financimi për të mbrojtur këto zona nga erozioni, por edhe për të punësuar banorët e kësaj zone me nivel të lartë të varfërisë. Edhe profesori i gjeografisë, Ervis Krymbi, thotë se institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj asaj që po ndodh në zonën malore në verilindje të vendit.

Shumë zona të tilla turistike, si Thethi apo edhe zona të tjera, janë atraksione të veçanta natyrore, prandaj duhet një vëmendje shumë më e madhe, nga të gjitha institucionet, për riparimin dhe parandalimin e këtyre dëmeve jashtëzakonisht të mëdha që shkaktohen në natyrë. Kjo, jo vetëm për aspektin turistik, por edhe për ata banorë të atyre zonave atje”, thotë ai.

Nderkohë, banorët e disa fshatrave të Mirditës dhe Vaut të Dejës, ku edhe dëmet në infrastrukturë janë më të mëdha, po protestojnë prej disa ditësh në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e institucioneve vendore dhe qendrore për marrjen e masave të shpejta për frenimin e erozionit në këto zona.

XS
SM
MD
LG