Lidhje

Kallzimi i Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri, Prokuroria: S’ka vend për procedim penal


Prokuroria e Tiranes

Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës, njoftoi të enjten se ka vendosur të mos fillojë një procedim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pas kallëzimit të bërë kundër këtij institucioni, nga ish presidenti Ilir Meta.

Prokuroria në vendimin e saj i referohet nenit të Kodit të Procedurës Penale për “Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit” i cili parashikon ndër të tjera se një nga rrethanat është dhe “kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

Zoti Meta ngriti padi penale ndaj Autoritetit më datë 1 shtator, pasi dhe më herët e kishte akuzuar atë për shkelje ligjore kur ky institucion njoftoi zyrtarisht parlamentin se kiste hasur në dokumenta që e lidhnin ish presidentin me strukturat e ish Sigurimit. Sipas tij, anëtarët e Autoritetit kishin shkelur 6 nene të Kodit Penal, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve, përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete.

Zoti Meta, duke ju referuar rastit të tij, tha se dokumentat janë manipuluar, pasi personi Filip Talo, i cili pretendohet të jetë kallzuar prej tij, në rrëfimin e bërë me shkrim dore për organet e sigurimit ka përmendur një tjetër emër, Ilir Murataj, me të cilin ndante dhomën e konviktit. Ndërkohë që zoti Meta tha se nuk ka jetuar në konvikt.

Autoriteti nga ana e tij këmbënguli se ka vepruar në respekt të procedurave ligjore dhe se praktika e ndjekur është lehtësisht e verifikueshme.

Prokuroria në njoftimin e saj shpjegoi se “gjatë kësaj periudhe janë kryer verifikimet përkatëse që parashikon ligji proceduarial penal dhe që lidhen në rastin konkret me marrjen e deklarimeve përkatëse në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, të antarëve të Autoritetit, ndaj të cilëve drejtohet ky kallëzim penal”. Prokuroria saktësoi më tej se “në vlerësimin tonë, nisur nga çka përmban kallëzimi penal (i zotit Meta ndr.) dhe për më tëpër baza ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti, bën të mosgjendemi para rrethanave për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale”.

Në shkresën zyrtare me të cilën Autoriteti njoftonte parlamentit, kërkonte dhe ndërhyrje ligjore për të lejuar verifikimet dhe ndaj personave të pajisur me çertifikata pastërtie nga dy komisionet e mëparshme që kanë funksionuar në vitet ’90, si dhe ndalimin e kandidimit të personave që rezultojnë me lidhje me ish Sigurimin.

Të dyja këto kërkesa u përqafuan me shpejtësi nga shumica socialiste, e cila më parë nuk i kishte marrë ato në konsideratë, dhe janë kthyer në nisma ligjore që janë në fazë shqyrtimi në parlament.

Atyre u janë bashkangjitur dhe nisma të tjera të paraqitura nga opozita, sipas së cilës është rasti që vendi të ndahet një herë e mirë nga trashëgimia komuniste dhe që aktet ligjore të mos përdoren për përfitime politike.

XS
SM
MD
LG