Lidhje

Mal i Zi: Ambasadorja e SHBA-së Rajnke, paralajmëron kundër udhëheqësve që vënë interesat partiake para atyre të vendit


Forumi 2BS, një nga konferencat kryesore politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, organizuar nga Këshilli Atlantik i Malit të Zi, që po mbahet në qytetin malazez Budva, po përqendrohet tek sfidat që ka sjellë lufta e Rusisë në Ukrainë dhe tek nevoja e një të ardhmeje Euro-Atlantike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në panelin për të ardhmen e rajonit, Ambasadorja amerikane në Podgoricë, Judy Reising Rajnke tha se kërcënimi më i madh për Malin e Zi është një qeverisje që vendos interesat partiake para atyre sociale.

Zonja Rajnke tha se janë identifikuar tre lloje kërcënimesh - të jashtme, të brendshme dhe ekzistenciale.

“Bota ndryshoi më 24 shkurt në përpjekjen kriminale të Rusisë për të zhdukur sovranitetin e Ukrainës. Prandaj, bashkëpunimi ynë për sigurinë është më i rëndësishëm se kurrë. Kërcënimet e brendshme janë diçka që shqetëson dhe rrit ndarjet në shoqëri – tha ajo.

Kërcënimet ekzistenciale, thotë ajo, janë diçka që rrezikojnë sigurinë e Malit të Zi në të ardhmen afatgjatë, dhe kjo është paaftësia për të zgjidhur korrupsionin e rrënjosur.

“Korrupsioni duhet të ndalet dhe dua të them se kërcënimi i vërtetë është qeveria që arrin të vendosë interesat partiake mbi interesat shoqërore”, tha Rajnke.

Zonja Rajnke tha se sulmi i Rusisë nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, por është sulm mbi rendin e bazuar në siguri.

“ Kur ke agresor, nuk ke gjendje të rregullt. Ne duhet të vazhdojmë presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Rusisë dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën “, tha ambasadorja Rajnke.

Ajo vlerësoi dënimin e Malit të Zi për referendumin e rremë të Rusisë në Ukrainë, duke dënuar përpjekjen e Rusisë për të aneksuar një pjesë të territorit ukrainas, por edhe kritikoi përfaqësuesit politikë që nuk dënuan qartë agresionin rus.

“Nga ana tjetër, ata udhëheqës malazezë që nuk arritën të dënojnë qartë dhe publikisht agresionin rus, kanë treguar se nuk ndajnë vlerat tona euroatlantike”, theksoi Judy Reising Rajnke.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mirco Joana, tha se Rusia qëndron pas sulmit kibernetik ndaj Qeverisë së Malit të Zi.

“Mali i Zi është i ekspozuar ndaj një sulmi kibernetik që vjen nga një grup rus, ne pamë diçka të tillë në Bosnje dhe Hercegovinë, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Por ne jemi të pranishëm, në Kosovë kemi 20 mijë ushtarë atje dhe kjo është prania më e fortë ushtarake në Ballkan, sepse duam të garantojmë paqen në rajon “, tha zoti Joana.

Ai kujtoi gjithashtu se Rusia filloi një luftë të tmerrshme, me pasoja që janë ende në vazhdim.

“ Zaporozhia dhe rajone të tjera me madhësinë e Portugalisë janë aneksuar në Rusi. NATO nuk do ta njohë kurrë këtë grabitje toke. Gjithashtu, retorika bërthamore është diçka që është përshkallëzuar sepse lufta nuk po shkon ashtu siç e ka imagjinuar Rusia, sepse Moska po përballet me rezistencë të fortë edhe nga njerëzit e zakonshëm”, tha zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Ndërkaq, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe organizatorja e këtij Forumi, Milica Pejanović Đurišić tha se që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus kundër Ukrainës, ne jetojmë në një botë krejtësisht tjetër.

“Agresioni rus kundër Ukrainës shënon fundin e një epoke sigurie që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Disa e quajnë fundi i historisë moderne, për të cilën ka argumente të vlefshme. Ne po përballemi jo vetëm me një sulm ndaj Ukrainës, por edhe me vënien në pikëpyetje të vlerave të demokracisë, “ tha zonja Pejanoviq.

Ajo tërhoqi vëmendjen për ato prirje në rajon që vënë në dyshim të drejtat demokratike dhe që po ushtrojnë me një ndikim të rëndësishëm në dinamikën politike të karakterizuar nga paqëndrueshmëria, me potencial për të rrezikuar paqen tashmë të brishtë.

“ Mungesa e kapaciteteve demokratike, institucionet e dobëta dhe mungesa e fokusit të partnerëve perëndimorë kanë lehtësuar ndërhyrjen e aktorëve që duan të kërcënojnë BE-në dhe NATO-n përmes destabilizimit të rajonit”, tha zonja Pejanoviq.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se lufta në Ukrainë solli një ndërgjegjësim në BE, për nevojën e integrimit të shpejtë të Ballkanit.

“Ata (BE-ja) e kuptuan se duhet ta shohin Ballkanin sa më shpejt në BE, sepse nuk dihet se sa do të jetë i qëndrueshëm”, tha zoti Lajçak.

Ai theksoi se kriteret teknike janë të rëndësishme për zgjerimin, por se përputhja me politikën e BE-së dhe standardet e saj është shumë më e rëndësishme.

Zoti Lajçak bëri thirrje për shtimin e angazhimit ndaj reformave dhe plotësimin e standardeve të nevojshme për integrim evropian dhe paralajmëroi se përkushtimi ndaj vlerave evropiane ka rënë.

“Raporti për progresin e Malit të Zi që do të publikohet ndoshta do të jetë më i keq se pesë vjet më parë. Bashkëpunimi rajonal është më i keq se pesë vjet më parë, kështu që të gjithë treguesit tregojnë se vendosmëria dhe përkushtimi ndaj reformave që do ta afronin BE-në janë më pak të pranishme sot”, tha zoti Lajçak.

Ai iu përgjigj edhe rezervave në rajonin e Ballkanit Perëndimor për hapat e përshpejtuar të afrimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë me BE-në.

“Duhet ta dini se Evropa nuk po I kthen shpinën Ballkanit dhe fakti që po zgjerohemi në lindje nuk do të thotë se do të ketë ndikim negativ në Ballkan”, tha zoti Lajçak.

Forumi 2BS (To Be Secure) shënon dymbëdhjetë vjet të përpjekjeve të për të ndikuar, ndryshuar dhe të jap përgjigje për sfidat e ndryshme rajonale dhe globale.

Në Forum po marrin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, si dhe ekspertë të njohur në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Të shtunën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të flasë përmes lidhjes me video, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit në Budva dhe qytetarëve të Cetinës.

XS
SM
MD
LG