Lidhje

Protestë në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave në Iran


Kosovo Protest

Një grup veprimtaresh për të drejtat e njeriut në Prishtinë, prenë flokët të mërkurën gjatë një proteste kundër dhunës ndaj grave në Iran.

Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila organizoi këtë protestë, tha se nuk ka liri të plotë të grave derisa ende ka shtypje e dhunë ndaj tyre.

“Ne dënojmë aktet e dhunës ndaj grave në Iran. Asnjë nga ne nuk jemi të lira dhe nuk kemi arritur qëllimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë përderisa ende ka shtypje në botë. Të drejtat e grave të Iranit janë të drejta të njeriut, të drejtat e grave në përgjithësi janë të drejta të njeriut. Prandaj sot këtu me moton ‘grua, jetë, liri”, duke ndjekur hapat e rezistencës së grave iraniane, për të qëndruar në solidaritet me to dhe me protestuesit Iranian”, tha ajo.

Protestat në Iran shpërthyen në muajin shtator, pasi Mahsa Amini, 22 vjeçe, ra në koma dhe vdiq në paraburgim. Ajo ishte arrestuar në Teheran për shkak të asaj që u cilësua si "veshje e papërshtatshme".

Protestueset në Prishtinë ndërsa prenë flokët thanë se në këtë mënyrë u bashkohen grave iraniane të cilat e filluan këtë formë rezistence si një mjet për të protestuar ndaj autoritarizmit dhe për të kërkuar autonomi dhe liri mbi trupin e tyre.

“Autoritetet iraniane qysh nga revolucioni iranian, i njohur ndryshe si revolucioni islamik në vitin 1979, kur u bë edhe ndërrimi i pushtetit, kanë kontroll të plotë dhe të tejshtuar mbi vajzat e gratë, dukjen dhe veprimtarinë e tyre. Që nga vrasja e Mahsa Amini-t, gratë dhe vajzat e Iranit marshuan rrugët dhe me javë të tëra po vazhdojnë protestat kundër autoriteteve. Shumë prej tyre po heqin mbulesën dhe po prejnë flokët në shenjë proteste kundër kontrollit dhe dhunës së ushtruar në baza gjinore ndaj tyre”, tha zonja Shabiu.

Protestat janë më të mëdhatë e zhvilluara në Republikën Islamike që nga viti 2019. Shumica janë përqendruar në veriperëndim të Iranit të populluar nga kurdët, por janë përhapur edhe në kryeqytet e të paktën 50 qytete e qyteza, gjithandej Iranit.

Orgaizata joqeveritare për të drejtat e njeriut me seli në Oslo, Iran Human Rights, tha në një raport të mërkuren se të paktën 201 veta, përfshirë këtu 23 fëmijë, janë vrarë gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran.

XS
SM
MD
LG