KIEV – Autoritetet ukrainase u përpoqën të qetësojnë frikën e publikut nga sulmet ruse me dronë iranianë, duke njoftuar të hënën se kanë patur sukses në rrëzimin e tyre, ndërkohë që Kremlini ka përmendur mundësinë e një sulmi me bombë radioaktive duke i shtuar një tjetër dimension shqetësues luftës që ka hyrë në muajin e nëntë.
Ukrainasit po përgatiten për një dimër me më pak energji elektrike pas goditjeve të njëpasnjëshme ruse ndaj infrastrukturës gjatë javëve të fundit. Banorët në qytetin jugor ukrainas Mykolaiv prisnin në radhë për ujë dhe furnizime të tjera thelbësore, ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë përparimin në qytetin fqinj Kherson që është pushtuar nga forcat ruse.
Forcat ukrainase kanë rrëzuar rreth dy të tretat e gati 330 dronëve Shahed që Rusia ka nisur nga e shtuna, tha kreu i shërbimit të zbulimit ukrainas Kyrylo Budanov gjatë një interviste të hënën. Zoti Budanov tha se ushtria ruse ka porositur rreth 1700 dronë të llojeve të ndryshme, dhe se po dislokon një tjetër kontigjent prej 300 dronësh Shahed.
“Terrori nga përdorimi i dronëve Shahed mund të zgjasë shumë”, citohet të ketë thënë ai, për gazetën Ukrainska Pravda, duke shtuar se “mbrojtja ajrore po funksionon; 70% e tyre janë rrëzuar”.
Si Rusia ashtu edhe Irani mohojnë që ndonjë dron i prodhuar nga Irani të jetë përdorur në luftë, por dronët trekëndorë Shahed-136 kanë shpërthyer mbi civilët në Kiev dhe qytete të tjera në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë, në një përditësim të të dhënave të zbulimit në Twitter, tha se Rusia ka të ngjarë të përdorë një numër të madh dronësh për t'u përpjekur të depërtojë "mbrojtjet ajrore gjithnjë e më efikase të Ukrainës" - pjesërisht për të zëvendësuar armët me precizion me rreze të gjatë të prodhuara nga Rusia "të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakta.”
Ky vlerësim pasoi një paralajmërim tronditës nga ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu drejtuar homologut britanik, francez, turk dhe amerikan gjatë fundjavës se forcat ukrainase po përgatisnin një "provokim" që përfshinte përdorimin e një pajisjeje radioaktive – e ashtuquajtura "bombë kontaminuese". Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara e hodhën poshtë këtë pretendim si “qartësisht të rremë”.
Një bombë e tillë përdor eksplozivë për të shpërndarë mbetje radioaktive në përpjekje për të mbjellë terror. Armët e tilla nuk kanë efektin shkatërrues të një shpërthimi bërthamor, por mund të ekspozojnë zona të gjera ndaj ndotjes radioaktive.
Autoritetet ruse të hënën mbështetën paralajmërimin e zotit Shoigu.
Gjeneral Lietnant Igor Kirillov, kreu i forcave të ushtrisë ruse për mbrojtjen nga rrezatimi, sulmet kimike dhe biologjike, tha se njësitë ushtarake ruse ishin në gatishmëri të lartë për një kontaminim të mundshëm radioaktiv. Ai u tha gazetarëve se shpërthimi i një bombe të tillë mund të kontaminojë mijëra kilometra katrorë dhe të shpërndajë rrezatim vdekjeprurës deri në 1500 kilometra.
Në një konferencë për shtyp të hënën, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se: "Nuk është një dyshim i pabazë; ne kemi arsye serioze për të besuar se gjëra të tilla mund të planifikohen".
Ukraina ka hedhur poshtë pretendimet e Moskës si një përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga planet e vetë Moskës për të shpërthyer një pasije radioaktive. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht hodhi poshtë të hënën si "revoltues" pretendimin se Ukraina mund të përdorte një bombë kontaminuese, duke thënë se nuk kishte "asnjë tregues" për këtë.
Në një fjalim televiziv të dielën në mbrëmje, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy sugjeroi se vetë Moska po krijonte terrenin për vendosjen e një pajisjeje radioaktive në tokën ukrainase.
Zyra e tij tha se të paktën gjashtë civilë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në disa rajone të Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë në Mykolaiv - ku objektet e energjisë ishin në shënjestër të sulmeve - dhe në qytetin Bakhmut në Donetskun lindor.
Autoritetet ruse thanë se trupat ukrainase goditën me raketa një hidrocentral të madh në rajonin Kherson. Agjencitë ruse të lajmeve cituan shërbimet rajonale të urgjencës që thanë se ushtria ukrainase kishte gjuajtur 19 raketa ndaj uzinës Kakhovka.
Vladimir Rogov, një anëtar i lartë i administratës rajonale të Khersonit, tha se uzina nuk kishte pësuar dëmtime serioze dhe vazhdon të funksionojë. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për komplot për të hedhur në erë digën e uzinës për të përmbytur zonën, ndërsa forcat ukrainase po bënin një ofensivë në Kherson, qytet i cili u mor nga trupat ruse në fillim të luftës.
Sulmet e vazhdueshme të artilerisë së Ukrainës në Kherson kanë ndërprerë kalimet kryesore në lumin Dnieper, i cili përshkon përmes Ukrainën jugore, dhe i kanë lënë trupat ruse në bregun perëndimor pa furnizime dhe në rrezik rrethimi. Rajoni është një nga katër rajonet që Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi ilegalisht muajin e kaluar dhe i vendosi javën e kaluar nën ligjin ushtarak rus.
Zoti Budanov, shefi i zbulimit ukrainas, hodhi poshtë spekulimet se forcat ruse po përgatisnin një dalje të menjëhershme nga Khersoni.
Ndërsa forcat ruse po ndihmojnë për evakuimin e qindra zyrtarëve dhe banorëve, "në të njëjtën kohë, po sjellin njësi të reja ushtarake dhe po përgatisin rrugët e qytetit për mbrojtje", citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, autoritetet ruse hoqën monumentet e shefave ushtarakë rusë të shekullit të 18-të, Aleksander Suvorov dhe Fyodor Ushakov nga Khersoni, për t'i shpëtuar ato nga bombardimet ukrainase.
Të shtunën, autoritetet e vendosura nga Rusia u thanë të gjithë banorëve të Khersonit që të largoheshin "menjëherë" përpara një përparimi të pritshëm nga forcat ukrainase që po bëjnë një kundërofensivë për të rimarrë qytetin, i cili ndodhet në një rrugë kyçe për në gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia.
Një anketim i publikuar të hënën nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev tregoi se 86% e të anketuarve ukrainas ranë dakord se lufta e Ukrainës me Rusinë duhet të vazhdojë. Rreth 10% besonin se ishte e nevojshme të fillonin negociatat me Rusinë edhe nëse Ukraina do duhet të bëjë lëshime. Anketimi telefonik me 1 mijë persona në moshë madhore nga e gjithë Ukraina u krye nga e premtja deri të dielën, tha instituti.
Banorët në Mykolaiv, në veriperëndim të Khersonit, përsëritën vendosmërisë për të luftuar – edhe pse qyteti i tyre pëson bombardime pothuajse çdo natë dhe banorët duhet të rreshtohen gjatë ditës për ushqim dhe ujë.
“Ukraina po bën gjënë e duhur. Rusët na sulmuan dhe ata duhet të mposhten për këtë”, tha banori i Mykolaivit, Mykola Kovalenko, 76 vjeç. “Sigurisht, jeta ime ndryshoi. Unë jetoj me një presion të vazhdueshëm”.
Për t’i paraprirë dimrit, Kievi dhe shtatë rajone të tjera të Ukrainës të hënën planifikuan ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, ndërsa autoritetet po punonin për të rregulluar dëmtimet në objektet energjetike të shkaktuara nga bombardimet ruse.
Presidenti Zelenskyy tha se ekipet e riparimit po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji elektrike të ndërprerë nga sulmet me raketa ruse në shkallë të gjerë të shtunën dhe u bëri thirrje autoriteteve lokale që të sigurohen që ukrainasit t'i kushtojnë vëmendje thirrjes për të kursyer energjinë.
“Tani absolutisht nuk është koha për vitrina dhe tabela të ndritshme”, tha ai.