Lidhje

Kosovë, zyrtarët serbë paralajmërojnë bllokim të rrugëve për shkak të targave të makinave


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të enjten se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave në veriun e Kosovës kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha ndërkaq se është Serbia ajo e cila po kërcënon me dhunë ndaj një veprimi ligjor të autoriteteve të vendit.

Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokimin e rrugëve nëse siç thanë, autoritetet ndërmarrin veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Ky paralajmërim u bë nga udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiç, ministër në qeverinë e Kosovës pas një takimi në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje tha se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për ndryshimin e targave kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë.

Ai tha se ka marrë një njoftim të bashkërenduar nga përfaqësuesit e “Quintit” dhe Bashkimit Evropian, në të cilin theksohet se Serbia duhet të kuptojë se veprimi i Kosovës është legjitim dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura në bisedimet në Bruksel, por se problemi është në kohë dhe metoda. Ai kritikoi ashpër diplomatët perëndimor dhe e cilësoi të rremë interpretimin e marrëveshjes për targat që është arritur në vitin 2011.

Sipas asaj marrëveshjeje parashihej përdorimi i targave me mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës) ose KS si targa me status neutral si një masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare. Në vitin 2016 palët u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, përkatësisht deri në vitin 2021.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se bashkë me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të enjten gjatë një vizite në Kosovë se për çështjen e targave të makinave duhet të ndiqen rregullat dhe ligjet ndërsa bëri thirrje për një tranzicion të qetë dhe gjithëpërfshirës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot se çështja e targave është mbi të gjitha çështje e zbatimit të ligjit, e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

“E tëra që ne po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët tanë pa dallim dhe si rezultat i kësaj Serbia po kërcënon me dhunë e barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e të drejtës së lirisë së lëvizjes. Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e (Vladimir) Putinit që të kenë rezultate në tensionimin e stabilitetit të rajonit tone”, tha ajo.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë 24 orëve të fundit në veriun e Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë që kanë konvertuar targat e makinave.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Në qendër të vëmendjes është një plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi.

Presidenti serb tha sot se brenda 24 orësh do të përgjigjet rreth këtij plani, duke shprehur gatishmërinë për të biseduar rreth tij, ndërsa nënvizoi se “ka gjëra që nuk mund të pranohen”.

Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës se hollësitë e propozimit “po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së” dhe se “shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”.

XS
SM
MD
LG