Lidhje

Irani pranon se ka furnizuar Rusinë me dronë


Forcat iraniane duke përgatitur një dron luftarak
Forcat iraniane duke përgatitur një dron luftarak

Irani pranoi sot për herë të parë, pasi e mohoi për disa muaj me radhë, se ka furnizuar Rusinë me dronë luftarakë që po përdoren për të shkatërruar infrastrukturën energjitike të Ukrainës dhe po godasin objektiva civile. Ky zhvillim vjen në momente delikate për Teheranin, ndërsa vendi është përfshirë nga protestat për shkak të vrasjes në paraburgim të një vajze 22 vjeçare. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se Irani jo vetëm ka furnizuar, por edhe ka dërguar personel në terren, për t’i mësuar trupat ruse se si t’i përdorin dronët Shahed-136.

Irani pranon se ka furnizuar Rusinë me dronë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Ministri i Jashtëm i Iranit pranoi për herë të parë të shtunën se vendi i tij ka furnizuar Rusinë me dronë, duke këmbëngulur se dërgimi i tyre drejt Rusisë u bë përpara fillimit të sulmit në Ukrainë.

Moska po i përdor dronët për të shkatërruar infrastrukturën energjitike të Ukrainës apo dhe kryeqytetin e vendit Kievin, pa kursyer edhe objektiva civile.

Komentet e bëra nga Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian vijnë pasi Teherani e pati mohuar për disa muaj se kishte furnizuar Moskën me dronë shkatërrues.

“Për sa i përket pretendimeve të disa vendeve perëndimore se Republika e Iranit ka pajisur Rusinë me raketa dhe dronë për ta ndihmuar me luftën në Ukrainë, pjesa për raketat është krejtësisht false. Pjesa për dronët është pjesërisht e vërtetë. I dhamë një numër të kufizuar dronësh Rusisë gjatë muajve përpara fillimit të luftës në Ukrainë”, tha Ministri iranian Hossein Amirabdollahian.

Përpara këtij momenti, zyrtarët iranianë kishin mohuar se Irani ka furnizuar Rusinë me armatim për luftën në Ukrainë. Madje edhe këtë javë, ambasadorin iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, i quajti akuzat “krejtësisht të pabaza” dhe përsëriti pozicionin e Iranit për neutralitet në këtë luftë.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar gjithashtu se forcat iraniane janë angazhuar edhe drejtpërdrejt në terren në Krime.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby u tha gazetarëve muajin e kaluar se Irani ka dërguar një "numër relativisht të vogël" personeli ushtarak në Krime, për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar po nga Irani.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Teherani mund të ketë dislokuar personel ushtarak për të ndihmuar rusët, pjesërisht për shkak të mungesës së njohurive që kanë trupat ruse në përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani. Sipas gjetjeve të zbulimit amerikan rusët u përballën me probleme teknike në përdorimin e dronëve iranianë, menjëherë pas dorëzimit të tyre në gusht.

Këto zhvillime, që tregojnë përfshirjen e Iranit në luftën e Moskës në Ukrainë, vijnë në momente të ndjeshme për Teheranit, ndërsa vendi është përfshirë nga protestat mbi vjekjen në paraburgim të një vajze 22 vjeçare. Administrata amerikane i ka vendosur sanksione të reja Iranit lidhur me shtypjen brutale të protestave antiqeveritare.

XS
SM
MD
LG