Lidhje

Presidenti Biden flet pas zgjedhjeve


USA-ELECTION/BIDEN

Në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve që përkojnë me mesin e mandatit, Presidenti Joe Biden tha se demokratët patën një natë të mirë. Ai tha se nuk ka plane për të bërë ndryshime në qasjen e tij pavarësisht mundësisë që republikanët mund të marrin kontrollin e Kongresit.

“Unë jam i përgatitur të punoj me kolegët e mi republikanë. Populli amerikan e ka bërë të qartë se pret që republikanët të punojnë me mua gjithashtu”, tha Presidenti Biden.

Ai la mënjanë shqetësimet se republikanët, të cilët janë në rrugën e duhur për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të hetojnë administratën dhe familjen e tij, njollë që mund ta shoqërojë gjatë gjithë presidencës së tij.

“Unë mendoj se populli amerikan do ta shohë për atë që është, pothuajse komedi”, tha ai.

Për demokratët ende ekzistion mundësia që të ruajnë kontrollin e Senatit, çka do t’i mundësonte Presidentit Biden që të emëronte gjykatës federalë dhe zyrtarë të administratës.

“Ndërsa shtypi dhe ekspertët po parashikonin një valë gjigante të kuqe, kjo nuk ndodhi”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden tha se kishte në plan të bisedonte me udhëheqësit republikanë në Kongres duke hapur mundësinë e arritjes së kompromisit me ta.

Presidenti Biden flet pas zgjedhjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Arritjet e Presidentit Biden ishin pjesë e zgjedhjeve të djeshme edhe pse emri i tij nuk ishte në fletët e votimit. Pavarësisht se si do të jetë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të mesmandatit, presidenca e tij do të ketë ndryshime të thella.

Presidenti Biden dhe këshilltarët e tij i ndoqën votimet nga Shtëpia e Bardhë deri në orët e hershme të mëngjesit të mërkurën, ndërsa presidenti telefonoi mbi 30 kandidatë demoktratë për t’u uruar fitoret.

Në publik, presidenti shprehu optimizëm deri në pikën e fundit, duke u thënë zyrtarëve demokratë në prag të zgjedhjeve se, “ne do t’i befasojmë të gjithë”.

Sidoqoftë, pas dyerve të mbyllura, ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë kanë hartuar plane në rast se republikanët marrin kontrollin e njërës apo të të dyja dhomave të Kongresit, një skenar që Presidenti Biden e ka pranuar që do ta vështirësonte punën e tij.


Ende është e paqartë se kush do të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, for fitoret në disa gara treguan për forcën befasuese të demokratëve. Pavarësisht nga rezultati, Presidentit Biden do t’i duhet të riorganizojë përparësitë e tij në Shtëpinë e Bardhë.


Javën e kaluar presidenti u bëri thirrje amerikanëve që të jenë të durueshëm ndërsa numërohen votat dhe të shmangin përfshirjen në teori konspirative, një mesazh që ka të ngjarë ta përsërisë gjatë konferencës së shtypit të mërkurën.


Mbështetja e amerikanëve për punën e Presidentit Biden është rritur nga nivelet e ulta të muajve të verës. Sipas një ankete të agjencisë së lajmeve Associated Press “VoteCast” me mbi 93,000 votues në të gjithë vendin, 6 në 10 amerikanë nuk e mbështesin mënyrën se si presidenti po e trajton ekonominë.


Nëse republikanët fitojnë kontrollin e Kongresit, aleatët e Presidentit Biden po përgatiten për beteja të ashpra politike, që nga buxheti, detyrimet financiare, mbështetja për Ukrainën e deri tek përparësitë legjislative.


Fitorja e republikanëve mund të sjellë në Kongres një mori kandidatësh të cilët zoti Biden i ka cilësuar si kërcënim për demokracinë, për refuzimin e pranimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Kjo do të kufizonte mundësitë e bashkëpunimit duke sjellë sfida të reja para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.


Administrata e Presidentit Biden është përgatitur prej muajsh për një vërshim të pritshëm hetimesh nga republikanët, nëse ata marrin njërën ose të dy dhomat e Kongresit. Ata kanë hartuar strategji ligjore dhe mediatike për të adresuar hetimet që nga tërheqja kaotike e ushtrisë amerikane nga Afganistani deri tek marrëdhëniet e biznesit të djalit të presidentit, Hunter Biden.


Në zgjedhjet e mesmandatit të presidencës së zotit Trump në vitin 2018, republikanët humbën 40 vende në Dhomën e Përfaqësuesve por fituan dy vende në Senat. Demokratët në kohën e Presidentit Bill Clinton, në vitin 1994, humbën 52 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 8 vende në Senat

XS
SM
MD
LG