Lidhje

Presidenti Biden në Egjipt, shpreh angazhimin amerikan në luftimin e ndryshimeve klimatike 


CLIMATE-UN/BIDEN
CLIMATE-UN/BIDEN

Në fjalimin sot në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po mbahet në Egjipt, Presidenti Joe Biden parashtroi hapat që po ndërmarrin Shtetet e Bashkuara për të trajtuar krizën klimatike brenda dhe jashtë vendit. Por aktivistët e mjedisit thonë se vendet e pasura duhet të përqendrohen në përmbushjen e premtimit të tyre prej 100 miliardë dollarësh në vit për të kompensuar humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike.

Presidenti Biden, fjalim në Konferencën e OKB-së për Klimën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Presidenti Joe Biden tha në një fjalim në takimin historik të Kombeve të Bashkuara për klimën se kriza e klimës ka të bëjë me sigurinë e njerëzimit, sigurinë ekonomike, mjedisore, kombëtare dhe atë të vetë planetit. Presidenti Biden shpjegoi para pjesëmarrësve në konferencë hapat që Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin për të trajtuar sfidat që paraqet ndryshimi i klimës.

“Gjatë dy viteve të fundit Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të pashembullt përmes investimeve në vend për përmirësimin e infrastrukturës. Ne po përmirësojmë infrastrukturën e energjisë elektrike për të shpërndarë më mirë energji më të pastër, po zgjerojmë sistemin publik të hekurudhave, dhe po ndërtojmë në mbarë vendin 50 mijë stacione të karikimit të makinave elektrike.”

Presidenti Biden gjithashtu përmendi miratimin e Ligjit të Reduktimit të Inflacionit në verën e këtij vitit, i cili parashikon 375 miliardë dollarë investime për luftimin e ndryshimeve klimatike. Përveç investimeve brenda vendit, Presidenti Biden gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të ndihmuar vendet e tjera për zbutjen e pasojave të krizës klimatike, përfshirë një fond prej 150 milionë dollarësh për vendet e Afrikës.

Por në një vit kur përmbytjet, valët e të nxehtit dhe moti ekstrem kanë shkaktuar dëme të rënda, aktivistët mjedisorë duan të shohin diçka tjetër. Në vitin 2015, 196 palë nënshkruan Marrëveshjen e Parisit, një traktat ligjërisht i detyrueshëm që, ndër të tjera, parashikonte që vendet e pasura të ofrojnë 100 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike. Por, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e cila ka monitoruar këtë çështje thotë se ky objektiv ende nuk është arritur.

“Do të ketë një vëmendje të madhe për humbjet dhe dëmet në veçanti, të cilat kanë qenë pjesë e diskutimeve për një kohë të gjatë”, thotë Angela Churie Kallhauge nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Disa delegatë, si ministri i jashtëm i Pakistanit kanë dalë me propozime të reja për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përmbytjet vdekjeprurëse kanë shkaktuar dëme të rënda në këtë vend në fillim të këtij viti.

“Një zgjidhje për këtë mund të jetë falja e borxheve të vendeve në zhvillim nga vendet e zhvilluara, në mënyrë që fondet e parashikuara për pagimin e borxheve të mund të përdoren për rindërtimin e zonave të dëmtuara, tranzicionin tonë energjetik, dhe marrjen e masave për të parandaluar dëmet nga ndryshimi i klimës në të ardhmen. Pra, vendet e zhvilluara, pa patur nevojë të transferojnë para, do të jenë në gjendje të thonë se po përmbushin angazhimet e tyre në këtë front", thotë Bilawal Bhutto Zardari, Ministër i Jashtëm i Pakistanit.

Në vend të kësaj, zyrtarët amerikanë po përqëndrohen në reklamimin e efekteve ekonomike të Ligjit të Reduktimit të Inflacionit, të miratuar së fundmi, i cili parashikon investimin e rreth 375 miliardë dollarëve gjatë 10 viteve të ardhshme për të luftuar ndryshimet klimatike.

"Vetë ligji e trajton këtë çështje nga pikëpamja ekonomike. Varet se si i shihni burimet që keni në dispozicion, si mund të përdoren ato për të trajtuar çështjen e ndryshimit të klimës, por edhe si mund të sjellin përfitime të jashtëzakonshme ekonomike. Kjo mund të zbatohet si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluar të botës”, thotë Gina McCarthy, ish-këshilltare amerikane për klimën.

Nuk është e qartë se si do të pritet ky mesazh. Të mërkurën, i dërguari i amerikan për klimën, John Kerry, u kritikua në konferencë, ndërsa ai foli me delegatët për një plan për të financuar tranzicionin e energjisë së pastër në vendet e varfra nëpërmjet financimit privat, jo publik.

Pas Konferencës së OKB-së për Klimën në Sharm el Sheikh, Presidenti Biden do të shkojë në Azinë Lindore për të marrë pjesë në dy takime të tjera ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG