Lidhje

Seancë e përbashkët e qeverive, Shqipëri-Maqedoni e Veriut


Edi Rama- North Macedonia
Edi Rama- North Macedonia

Një delegacion qeveritar shqiptar i drejtuar nga Kryeministri, Edi Rama shkoi të hënën në Shkup për në një seancë të përbashkët qeveritare me kabinetin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Në takim u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dhe protokollesh. Shkupi dhe Tirana, që po e bëjnë së bashku rrugën drejt itegrimeve euro-atlantike, synojnë lehtësime në fushën e doganave, lidhjet infrastrukturore ndërsa do të këmbejnë përvojat e tyre në negociatat me BE-në.

 Seancë e përbashkët e qeverive, Shqipëri-Maqedoni e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Kabinetet qeveritare të drejtuara nga kryeministrat Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski u takuan në Shkup për të shqyrtuar mundësitë e mëtejme të bashkëpunimit në më shumë fusha. Dy vendet po bëjnë rrugën e përbashkët, ndonëse me sfida të ndryshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan 21 dokumente: marrëveshje dhe protokolle në fushat e ekonomisë, financave, të punëve të brendshme e të jashtme, të kulturës, arsimit e shëndetësisë.

Marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet kanë të bëjnë me njohjen e operatorëve ekonomikë, me vendosjen e një pike të vetme kontrolli në Qafë Thanë, krijimin e ekipeve të përbashkëta në fushën e sigurisë, që do të ndihmonte në luftën kundër kriminalitetit të organizuar; Marrëveshje për këmbimin e përvojave në negociatat me BE-në, bashkëpunim në fushën farmaceutike, si dhe kthimin e ikonave të trafikuara ilegalisht nga kishat dhe manastiret e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri.

Pala maqedonase theksoi nevojën e hapjes së një pike të re kufitare te fshatrat Trebishtë dhe Xhepishtë. Ndërkohë, ministrat e të dy qeverive folën për angazhimet rreth përparimit të lidhjes së dy vendeve përmes korridorit tetë, si përmes infrastrukturës hekurudhore dhe të autostradës.

Megjithatë, një autostradë përmes pikës kufitare të Qafë Thanës do të kërkonte shpimin e një tuneli, për çka pala shqiptare konsideron se ka një kosto shumë të lartë dhe vështirë të ndodh në 2, 3 vitet e ardhshme, ndërsa sugjeron përfshirjen në fondet e BE-së.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se të dy vendet kanë vendosur themele shumë të forta për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë për gjeneratat e ardhshme. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve fqinje, ndërsa tha se është interes strategjik i të dy vendeve që të zgjerojnë hapësirën e tyre ekonomike dhe kapacitetet për të prodhuar më shumë mirëqenie edhe më gjerë një rajon.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se dy vendet tashmë kanë vendosur shtyllat e fuqishme “edhe për autostradat edhe për hekurudhat që fizikisht i lidhin dy vendet tona dhe dy popujt tanë”.

Por, realisht Maqedonisë së Veriut i duhet edhe më shumë kohë për ndërtimin e pjesës së hekurudhës nga Kërçova deri në kufirin shqipar si dhe në brendi të vendit për ta përfunduar pjesën e korridorit tetë.

Shqipëria i mundëdson vendit fqinj hapjen e një “porti të thatë” në Strugë për transportin e mallrave nga Porti i Durrësit.

Zoti Rama, ndërkohë u ndal tek mundësitë që ‘Ballkani i Hapur’ u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur në maksimum, siç tha, aftësitë e përfitimit në një hapësirë shumë më të madhe se hapësirat e përveçme gjeografike, teksa theksoi mbështetjen edhe për procesin e Berlinit.

“Kemi parë marrëveshje të mira të bëra në kuadër të Ballkanit të Hapur, ashtu sikundër kemi vazhduar dhe do të jemi mbështetës të palëkundëur edhe të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shohim bashkë këto nisma si pjesë të njëra tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra tjetrës”, tha ai.

Por, gjatë një konference shtypi kryeministri Rama u shpreh se Ballkani i Hapur është nisma që më së miri i zgjidh problemet e rajonit.

“Ne prakatikisht kemi shtyrë procesin përpara duke dhënë një mesazh shumë të qartë se s’kemi pse presim për të jetësuar pikërisht ato parime që janë të Procesit të Berlinit. Dhe në fund fare, do të mbetemi me Ballkanin e Hapur se Procesi i Berlinit nuk do të jetë i përjetshëm, ndërkohë që Ballkani është i përjetshëm”, u shpreh kryeministri Rama.

I pyetur për nismën e ndryshimeve kushtetutës në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Rama tha se Kushtetuta e vendit fqinj është një model i njohur për sa i përket pakicave kombëtare dhe se ai duhet plotësuar.

Pakicat kombëtare paraqesin ura lidhëse të rëndësishme, sidomos në momente kritike, tha ai duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka fituar dinjitet ndërkombëtar si një vend që ka bërë përpjekje epike për afirmimin e përkjatësisë së saj euroatlantike. Kthimi prapa do të ishte fatal”, sipas zotit Rama.

Dy kryeministrat folën edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës që ka shkaktuar kriza enrgjetike, ekonomike dhe ngritje çmimesh jo vetëm në rajon.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me Shqipërinë “Qëndrojmë së bashku në anën e paqes botërore dhe po e ruajmë qëndrueshmërinë e rajonit. Është në interes të përbashkët t’i kundërvihemi përpjekjeve që vendet tona dhe të gjithë Ballkanin t’i përfshijnë në skenare të padëshiruara”, tha ai.

“Edhe BE më në fund e kuptoi se është interesi i saj strategjik dhe i sigurisë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës; Se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë udhëheqje demokratike dhe përparimtare dhe se tani është momenti për sigurimin e realizimit të familjes evropiane”, u shpreh kryeministri maqedonas.

XS
SM
MD
LG