Lidhje

Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike rëndojnë gjendjen në Kiev


UKRAINE-RUSSIA-WAR-ENERGY-BLACKOUT
UKRAINE-RUSSIA-WAR-ENERGY-BLACKOUT

Autoritetet ukrainase në Kiev po paralajmërojnë për një "mbyllje të plotë", ndërsa temperaturat nën zero po mbërthejnë vendin.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, tha se autoritetet po përpiqen të rikthejnë në funksion rrjetin elektrik të qytetit.

Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të rënda në rrjetin energjetik të kryeqytetit ukrainas, ndërkohë sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, nga kryeqyteti, Kievi, në veri deri në Odessa në jug, duke shkatërruar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës, tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal.

“Fatkeqësisht, Rusia po vazhdon sulmet me raketa kundër infrastrukturës kritike civile të Ukrainës, duke luftuar kundër popullatës civile dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë, ngrohje dhe sistemet e komunikimit gjatë dimrit.” Ai i bëri këto komente gjatë bisedimeve me nënpresidentin e Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis në Kiev.

Kryeministri ukrainas shtoi se, “më 15 nëntor, Rusia hodhi rreth 100 raketa në qytetet e Ukrainës. Pothuajse gjysma e sistemeve tona energjetike janë çaktivizuar”.

Mes një moti me temperatura të ulëta, rreth 10 milionë njerëz në vend kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Presidenti ukrainas tha se njerëzit po përjetojnë ndërprerje të gjata të eneregjisë elektrike në 18 rajone, përfshirë Kievin, dhe ai shtoi se punonjësit e shërbimeve publike po bëjnë "gjithçka për të rikthyer furnizimin me energji elektrike".

Shefi ekzekutiv i operatorit shtetëror të shërbimeve të energjisë elektrike “Ukrenergo”, Volodymyr Kudrytskyi, tha në televizionin shtetëror ukrainas, se "ne duhet të përgatitemi për ndërprerjet e mundshme të gjata, por për momentin ne po njoftojmë oraret e ndërprerjes së energjisë elektrike që janë planifikuar dhe do të bëjmë gjithçka për t’u siguruar që ndërprerjet e energjisë elektrike të mos jenë shumë të gjata.”

OKB-ja tha se ka frikë nga një krizë humanitare këtë dimër nëse ndërprerjet e energjisë elektrike në Ukrainë vazhdojnë.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmet e saj në Ukrainë kishin shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe energjetike, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve. Zyrtarët e ministrisë ruse të mbrojtjes thanë se ushtria ruse po përdorte armë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat e mbrojtjes dhe ato industrial në Ukrainë, duke përfshirë "objektet e prodhimit të raketave".

Ndërkohë të premten, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua me nënpresidentin e Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis në Kiev dhe e falënderoi atë për programin e planifikuar të ndihmës financiare të BE-së prej më shumë se 18.5 miliardë dollarë në 2023.

XS
SM
MD
LG