Lidhje

Moti i keq në Shqipëri, dy persona të zhdukur në Malësinë e Madhe


Reshjet e shumta, të rëna gjatë natës dhe ditës së sotme, kanë shkaktuar një situatë problematike në disa zona të Shqipërisë. Në Malësi të Madhe, dy persona rezultojnë të humbur, pasi rrjedha e një përroi malor ka marrë përpara automjetin me të cilin po udhëtonin, në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në afërsi të Bogës. Shërbimet e policisë njoftuan në mesditë personat e humbur janë babë e bir, ndërsa vajza e tyre, që udhëtonte në të njëjtën makinë, ka arritur të dalë duke shpëtuar. Forca të shumta të policisë dhe polumbarë po vazhdojnë prej disa orësh kërkimet për gjetjen e tyre.

Shqipëri, dy persona të humbur për shkak të reshjeve të shumta
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Për shkak të situatës së rënduar, në mesditë janë vënë në gatishmëri edhe forcat e ushtrisë, të cilat po u vijnë në ndihmë banorëve të rrezikuar. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspektoi nga afër zonat më të prekura në Lezhë dhe Shkodër, ku u shpreh se situata rrezikon të shtrihet edhe në zonën më problematike nga përmbytjet, atë të Nënshkodrës.

“Këtu është pika më nevralgjike e Shkodrës, pra Harku i Berdicës. Kemi përmbytje të rrugës, kemi bërë thirrje Drejtorisë së Policisë për të devijuar kalimin e automjeteve. Gjithsesi, forcat e armatosura janë në krye të punës për të ndihmuar qytetarët që të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike. Ky ujë, që rrjedh poshtë drejt Dajçit, shkakton përmbytje në ato zona”

Emergjencat civile të Shkodrës njoftuan në mesditë se më shumë se 500 hektarë tokë bujqësore dhe një numër banesash ndodhen nën ujë, ndërkohë që kanë nisur edhe evakuimet e para të banorëve nga shtëpitë ku ka prani të ujit.

Në fshatin Vukatanë, vetëm 4 kilometër larg qytetit të Shkodrës, sipas banorit Isuf Arifaj, pjesa më e madhe e tokës, shtëpive dhe serave, tashmë ndodhen nën ujë.

“Fusha është mbytur në ujë. E kemi mbjellë me grurë, 100 lek kilogramin e farës, e gjithë po shkon bosh. Më keq nuk ka ku shkon. Kjo është vetëm nga kanalet që nuk janë pastruar”.

Në Bashkinë Vau Dejës, sipas kryetarit të bashkisë Mark Babani, lumi i Gjadrit dhe përrenjtë malorë kanë dëmtuar infrastrukturën rrugore si dhe po rrezikojnë një numër të madh banesash.

“Problemi më i madh është ky përroi i Glinës, që rrezikon rreth 300-400 familje. Ura nuk i përballon ujërat që sjell ky përru. Kemi dërgu projektin për ta zgjidhë një herë e mirë problemin e Vau Dejësit, pasi është jashtë mundësive dhe fondeve tona, dhe prezantimin e kemi bërë në të gjitha ministritë”

Përgjegjësi i emergjencave civile në Malësi të Madhe, Rasim Smaka, thotë se përrenjtë malorë po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për shkak të prurjeve të mëdha nga zona malore dhe që shkarkohen në Liqenin e Shkodrës.

Rreth mesditës është rritur papritmas me shpejtësi niveli i ujërave të Lumit Drin, për shkak të shkarkimeve të detyruara nga Hidrocentrali Vau Dejës, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytjes në bashkinë e Shkodrës.

Sinoptikanët parashikojnë vazhdimin e reshjeve intensive edhe në ditët në vazhdim, duke paralajmëruar përkeqësim të mëtejshëm të situatës dhe zgjerimin e hartës së përmbytjeve.

XS
SM
MD
LG