Lidhje

Vazhdojnë përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë


Flooding in Albania
Flooding in Albania

Për të dytën ditë radhazi, reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me shkarkimet e detyruara nga Kaskada e Drinit, kanë përkeqësuar situatën në zonën e Shkodrës dhe atë të Lezhës duke rikthyer përmbytjet që po shoqërojnë këto zona prej më shumë se dhjetë vitesh. Sipas Emergjencës Civile pranë Bashkisë Shkodër, janë përmbytur rreth 2,585 hektarë tokë bujqësore dhe 515 banesa . Përmbytjet kanë detyruar ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve në aksin e rrugës kombëtare që lidh Shkodrën me Lezhën dhe Tiranën. Në Shkodër, zonat më problematike janë Njësia Administrative Gur i Zi dhe Ana e Malit, ku gjendet edhe siperfaqja më e madhe e tokave dhe shtëpive me prani të ujit.

Kryetari i Njësisë Administrative Gur i Zi, Pjerin Marku, tha se banorët kanë nevojë për ndihmë.

“Jemi në hyrje të fshatit Kuç, ku vazhdojmë evakuimin e familjeve. Janë afërsisht 500 hektarë tokë bujqësore që ndodhen nën ujë, në të gjithë njësinë administrative. Problematikat shtohen nga momenti në moment pasi prania e ujit është shumë e madhe dhe është dëmtuar ushqimi për blegtorinë. Kërkojmë mbështetje për fermerët, ushqim për banorët, kërkojmë ujë të pijshëm”, tha ai.

Banorët janë të shqetësuar për situatën e krijuar, pasi, sipas tyre, po u dëmtohet ekonomia e familjeve. Në Shkodër, gjatë natës dhe paraditës së sotme janë evakuar 36 familje me 159 anëtarë duke u strehuar përkohësisht në konviktet e qytetit. Ndërsa në Lezhë janë mbi 25 banesa të përmbytura dhe qindra hektarë tokë të mbuluara nga uji në Gjadër, Piraj dhe Torovicë.

Automjete të ushtrisë shqiptare janë dislokuar për të ndihmuar banorët në zonat më të rrezikuara në Shkodër dhe Lezhë. Minsitri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme të shtabit të emergjencave civile në Qarkun e Shkodrës, tha se ushtria është e angazhuar në mbështetje të banorëve.

“Kemi dislokuar trupa mjaftueshëm, të cilat dje, gjatë të gjithë natës, kanë qenë këtu. Kemi dërguar edhe 120 trupa shtesë edhe mjete motorike, qoftë për lundrim, qoftë për të lehtësuar lëvizshmërinë e njerëzve. Nga ana tjetër, kemi ndihmuar evakuimin e të gjitha familjeve që janë evakuar deri tani në Shkodër”, tha ai.

Ministri Mbrojtjes i bëri thirrje bashkive që të përdorin me shpejtësi fondin e emergjencave për të mbështetur banorët e evakuar dhe ato që gjenden në vështirësi në zonat e përmbytura.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të hënën ishte në Shkodër, ku u takua me banorët e zonave të përmbytura.

Ndërkohë, policia njoftoi të hënën se pas shumë orë kërkimi, gjatë orëve të mëngjesit janë gjetur trupat e dy personave, 48 dhe 18 vjeç, babë e bir, të cilët u rrëmbyen nga ujërat e një përroi, në Shkrel të Malësisë së Madhe, ndërsa po udhëtonin me një automjet.

XS
SM
MD
LG