Lidhje

Organizatat mjedisore padi në gjykatë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës


Protesta e aktivistëve mjedisorë
Protesta e aktivistëve mjedisorë

Dy organizatat mjedisore joqeveritare shqiptare, PPNEA dhe AOS, mbështetur nga organizata joqeveritare ndërkombëtare “EuroNatur” si dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar dorëzuan të mërkurën në Gjykatën Administrative një padi ndaj disa institucioneve qeveritare shqiptare përgjegjëse për procesin administrativ për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

“Organizatat joqeveritare do të dorëzojnë prova dhe fakte mbi shkeljen e disa ligjeve, si ligji për zonat e mbrojtura, ligji për realizimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ligji për planifikimin e territorit, procedurat lidhur me kontratën koncesionare si dhe shkelje të rregulloreve përkatëse” , thuhet në njoftimin e dy organizatave.

“Pala paditëse do të theksojë ndaj autoriteteve proceset e paligjshme, mungesën e transparencës dhe përfshirjen e palëve të interesit, si dhe anashkalimin e procedurave thelbësore të procesit,” shprehen organizatat.

Laguna e Nartës, në afërsi të zonës së aeroportit të Vlorës
Laguna e Nartës, në afërsi të zonës së aeroportit të Vlorës

Sipas tyre “ky ndërtim i paligjshëm ndodh në një ndër ligatinat më të rëndësishme dhe me biodiversitet të lartë të vendit, si dhe përgjatë korridorit të Adriatikut, një prej rrugëve më të rëndësishme për shtegtimin e shpendëve”.

“Institucionet shqiptare po shkelin ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare, duke anashkaluar procedurat dhe duke hedhur poshtë vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e dy organizatave mjedisore.

Qeveria shqiptare nga ana e saj ka deklaruar se projekti për të ndërtuar aeroportin e Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por përkundrazi i jep zhvillim turizmit dhe gjithë qarkut.

Zona në Akerni ku do të ndërtohet aeroporti Vlorës
Zona në Akerni ku do të ndërtohet aeroporti Vlorës

Sipas autoritetevee qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi një vit më parë dhe po kryhet nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohet nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila ka 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës
Punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Aeroporti i Vlores do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe pritet të përrfundojë në fund të vitit 2024 me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë se “punimet për aeroportin po ecin shumë mirë dhe fluturimi i parë do ta jetë fund të vitit 2024. Shpresojmë të mos kemi surpriza", deklaroi kryeministri Rama.

XS
SM
MD
LG