Lidhje

NATO zotohet të vazhdojë ndihmën për Ukrainën


Disa ditë para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës foli në një konferencë shtypi mbi vendosmërinë e organizatës së sigurisë për të qëndruar përkrah Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Ai u kërkoi vendeve anëtare të vazhdojnë me dhurimin e sistemeve ajrore dhe furnizimeve të tjera jetike për Ukrainën, sidomos tani që po dimri po afron.

NATO është e vendosur të ndihmojë Ukrainën që të mbrohet nga sulmet ruse për “aq kohë sa të jetë e nevojshme” dhe do të ndihmojë vendin e shkatërruar nga lufta të transformojë forcat e tij të armatosura në një ushtri moderne sipas standardeve perëndimore, u zotua të premten Sekretari i Përgjithshëm i aleancës.

Në një konferencë shtypi para një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Rumani javën e ardhshme, zoti Stoltenberg u kërkoi vendeve aleate, të vazhdojnë të ofrojnë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera për Ukrainën.

Vetë NATO si organizatë nuk furnizon me armë.

‘NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën për aq sa është e nevojshme. Ne nuk do të tërhiqemi. Aleatët po ofrojnë mbështetje të paprecendentë ushtarake”, tha ai.

Zoti Stoltenberg tha se 30 anëtarët e organizatës së sigurisë kanë dhuruar karburant, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje dimërore dhe pajisje për bllokimin e dronëve, por shtoi se më shumë ndihma do të nevojiten ndërsa dimri afron, veçanërisht duke parë objektivin rus për të goditur instafrukturën energjetike të Ukrainës.

“Në takimin tonë në Bukuresht do të bëj thirrje për më shumë ndihma. Në aspektin afatgjatë ne do të ndihmojmë Ukrainën të kalojë nga pajisjet e epokës sovjetike në standardet, doktrinat dhe trajnimet moderne të NATO-s”, shtoi ai.

Zoti Stoltenberg tha se ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do t’u bashkohet ministrave për të diskutuar mbi nevojat më urgjente të vendit të tij, por edhe rreth mbështetjes afatgjatë që NATO mund të ofrojë.

Takimi i 29 dhe 30 nëntorit në Bukurersht do të mbahet pothuajse 15 vite pasi NATO premtoi se Ukraina dhe Gjeorgjia një ditë do të anëntarësohen në organizatë, një premtim që zemëroi Rusinë.

Shefi i NATO-s u pyet edhe për mundësinë e dërgimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë, pas kërkesës së Polonisë.

Berlini i ofroi Varshavës sistemin Patriot për ta ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore pasi një raketë ra në Poloni duke vrarë dy njerëz javën e kaluar, por ministri polak i Mbrojtjes më vonë i kërkoi Gjermanisë që në vend të kësaj të dërgonte atë sistem në Ukrainë.

Të enjten ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht refuzoi këtë kërkesë.

Ajo tha se sistemi “Patriot” i Gjermanisë ka për qëllim mbrojtjen e territorit të NATO-s dhe se përdorimi diku tjetër do të kërkonte diskutime paraprake me NATO-n dhe aleatët.

“Vendimet specifike mbi aftësi specifike, mbeten vendime kombëtare”, tha zoti Stoltenberg para gazetarëve.

I pyetur rreth votimit të Parlamentit të BE-së të mërkurën për të shpallur Rusinë një vend financues i terrorizmit, zoti Stoltenberg bëri thirrje për hetime të plota për sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë.

Rusia mohon të ketë vënë në shënjestër civilët ukrainas, por pranon fushatën e sulmeve kundër sistemit të energjisë elektrike dhe infrastrukturën tjetër, e cila sipas Moskës synon të dobësojë kapacitetet e Kievit për të luftuar dhe ta shtyjë atë drejt negociatave.

XS
SM
MD
LG