Lidhje

Rekrutët e rinj rusë stërviten në Bjellorusi para dislokimit të tyre në Ukrainë


Sipas vëzhguesve ushtarakë, presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, po lejon deri në 10,000 trupa ruse të mobilizuara së fundmi të stërviten në vendin e tij dhe i ka ofruar Moskës të paktën 211 pajisje të rënda ushtarake, duke përfshirë kamionë dhe tanke. Kritikët, si udhëheqësja e opozitës në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, thanë për Zërin e Amerikës se zoti Lukashenko po përpiqet të ndihmojë ushtrinë e goditur të Rusisë.

Rekrutët e rinj rusë stërviten në Bjellorusi para dislokimit të tyre në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya thotë se presidenti i vendit, Alexander Lukashenko, është i përkushtuar në përpjekjet për të ndihmuar aleatin e tij më të rëndësishëm, Presidentin rus Vladimir Putin.

“Duke ofruar një mbështetje të tillë materiale, ai po blen kohë në pushtet. Ai dëshiron të tregojë se është besnik ndaj Putinit”, thotë ajo.

Rusia ka përdorur territorin e aleates së saj, Bjellorusisë, për sulmin në Ukrainë.

Duke u mbështetur në të dhëna nga disa burime, që monitorojnë aktivitetet ushtarake në Bjellorusi, kryesisht projektin bjellorus “Hajun”, si dhe Komunitetin e Punëtorëve të Hekurudhave në Bjellorusi, zonja Tsikhanouskaya thotë se numri i trupave ruse në Bjellorusi do të vazhdojë të rritet.

"Ka raporte të shumta se kazermat bjelloruse janë të mbipopulluara dhe tani Rusia po i zgjeron ato. Pritet që atje të shkojnë më shumë ushtarë rusë", thotë udhëheqësja e opozitës bjelloruse.

Bjellorusia i dërgon me trena pajisjet ushtarake në Rusi dhe ka patur lëvizje të tyre në të dyja drejtimet, thotë zonja Tsikhanouskaya .

“Po shohim edhe udhëheqës të lartë rusë që po udhëtojnë drejt Bjellorusisë së bashku me pajisjet ushtarake”, thotë ajo.

Në një intervistë telefonike me Zërin e Amerikës, një vëzhgues i Komunitetit të Punonjësve të Hekurudhave të Bjellorusisë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se javët e fundit, "disa dhjetëra, deri në 100 njësi" të pajisjeve ushtarake ruse të dëmtuara mbërritën në Bjellorusi.

Pavel Slunkin është ekspert i çështjeve që lidhen me Bjellorusinë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Bjellorusia përdoret si qendër për trajtimin e ushtarëve të plagosur rusë dhe si një qendër mirëmbajtjeje për automjetet ushtarake ruse, të cilat pasi riparohen kthehen në vijën e frontit në Ukrainë", thotë ai.

Përveç riparimit të makinerive ruse të luftës, Bjellorusia i ka ofruar Rusisë edhe kamionë dhe tanke. Vetëm në tetor ajo i ka dhënë Moskës rreth 211 pajisje të rënda ushtarake. Themeluesi i projektit bjellorus “Hajun”, Anton Motolko, thotë se punonjësit e hekurudhës bjelloruse japin informacione se çfarë saktësisht transportojnë trenat, si dhe se ku po shkojnë ata, duke ofruar një pasqyrë të qartë të përpjekjeve ruse të furnizimit të ushtrisë së tyre në Ukrainë.

"Pajisjet ushtarake janë marrë nga dy baza ushtarake, njëra në Urech'e dhe tjetra në Starye Doroghi. Ne i gjurmuam lëvizjet e tyre dhe pamë se pajisjet u dërguan në zonën që kufizohet me rajonet ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut”, thotë ai.

Analisti Pavel Slunkin thotë se lëvizja e trupave dhe pajisjeve midis Rusisë dhe Bjellorusisë mund të nënkuptojë dy gjëra.

“Së pari, Rusia ka përdorur një sasi të madhe të armatimit të saj. Dhe së dyti, kjo tregon në mënyrë indirekte se nuk duhet të presim angazhimin e ushtrisë bjelloruse në këtë luftë”, thotë ai.

Por zonja Tsikhanouskaya thotë se duke dërguar trupa në Bjellorusi, Putini mund të jetë duke realizuar një objektiv politik më kërcënues.

“Rusët po zgjerojnë praninë e tyre të përhershme ushtarake për t'u siguruar që Bjellorusia nuk do të dalë nga kontrolli rus. Dhe Bjellorusia mund të bëhet një fitore ngushëlluese për Putinin”, thotë ajo.

Pavarësisht nëse trupat ruse të stërvitura në Bjellorusi qëndrojnë atje, apo dërgohen në Ukrainë, kritikët thonë se qëllimi i tyre do të jetë i njëjtë: pushtimi i më shumë territoreve të fqinjëve të Rusisë.

XS
SM
MD
LG