Lidhje

Vuçiç: Do t’i kërkojmë KFOR-it kthimin e forcave serbe në Kosovë


Arkiv
Arkiv

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se Serbia do t'u kërkojë forcave paqeruajtëse të NATO-s që ta lejojnë vendosjen e një numri trupash ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, duke theksuar se megjithatë, nuk asnjë mundësi që kjo kërkesë të miratohet.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd në të cilën tha sa Seërbia do t’i shkruajë letër komandantit të forcave të KFOR-it, duke ju referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën në kohën e miratimit të saj në qershor të vitit 1999, parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova atëbotë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia.

Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe që muajve të fundit kanë shtuar praninë në veriun e vendit, ku ndodhen edhe forcat e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Paralajmërimi i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nuk është komentuar nga autoritetet ndërkombëtare, ndërsa autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar si një kërcënim më agresion.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të premten se “kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999 ... Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”, shkroi ajo të premten ne rrjetet sociale.

Pak pas konferencës së presidentit serb në Beograd, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi se “Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook ai tha se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak. Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.

Kryeministri Kurti tha se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it. “Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, shkroi ai.

Një pjesë e opozitës në Serbi tha se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.

Paralajmërimi i presidentit të Serbisë u bë mes tensionesh në veriun e Kosovës, ku të shtunën grupe qytetarësh serbë kanë bllokuar rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kundërshtuar arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet se ishte përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e Komisioneve komunale të Zgjedhjeve në veriun e Kosovës dhe ndaj personave zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës tha një një njoftim të shtunën se “persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të vendkalimit kufitar të Bërnjakut. Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, thuhet në njoftim në të cilin thuhet se nuk ka njoftime për dëme në njerëz.

Të enjten në mbrëmje një pjesëtar i policisë u plagos në një sulm më armë zjarri në veri.

Tensionet në zonë bënë që të shtunën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtyjë për në muajin prill të vitit të ardhshëm zgjedhjet për pushtetin komunal në veri, të parapara për 18 dhjetor.

XS
SM
MD
LG