Lidhje

Dhoma Amerikane publikon Indeksin: Nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, monopoleve


Në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Indeksin vjetor, ku theksohet se në Shqipëri ende nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, monopoleve dhe konkurrencës së pandershme. Indeksi thekson se shqetësimi kryesor i bizneseve është aktualisht pakësimi i fuqisë punëtore prej migrimit të lartë, si dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar.

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Indeksin e Biznesit për vitin 2021-22, një vëzhgim me 230 anëtarët e saj, sipërmarrje të shumëlllojshme, që përfaqësojnë komunitetin më të madh të biznesit në Shqipëri.

Indeksi thekson se emigrimi i lartë po dobëson fuqinë punëtore, dhe është kthyer në shqetësimin më kryesor të bizneseve aktualisht.

“Migracioni ka ndikuar shumë në përkeqësimin e këtij Indeksi. Gjatë pandemisë pati një balancim të kërkesës me ofertën në tregun e punës, edhe për shkak të pamundësisë për të lëvizur nga vendi. Pas lehtësimit të masave të pandemisë u krijuan hapësirë për të migruar dhe tani largimi i punëtorëve të kualifikuar u bë problem kryesor”, thotë Neritan Mullaj, drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Pjesa dërrmuese e kompanive pohuan se ecuria e tyre po dëmtohet ngaqë e kanë përherë e më shumë të vështirë të gjejnë punonjës të kualifikuar, tregues ky i përkeqësuar me -9 pikë, në krahasim me një vit më parë.

“Pas pandemisë Covid ka nisur pandemia e punës. Ekonomia shqiptare deri tani ka patur si avantazh konkurrues vetëm koston e ulët të fuqisë punëtore Ky brez i tanishëm po rritet ndryshe dhe nuk mund të presim të bëjnë punë që paguhen pak. Besoj se kjo është një protestë e heshtur që ata po bëjnë ndaj një ekonomie që nuk ka prodhuar paga të larta dhe konkurrueshmëri. Shqipëria ka aktualisht pagat më të ulëta në Europë dhe mendoj se është një protestë e heshtur, që të rinjtë po ikin”, thotë Ornela Liperi, kryeredaktorja e revistës ekonomike, Monitor.

Indeksi vjetor i Dhomës Amerikane të Tregtisë shënoi një përmirësim të klimës së biznesit në krahasim me një vit më parë (+3.77), e lidhur kjo më së shumti me rimëkëmbjen pas pandemisë, kur bizneset u ndërprenë për një periudhë të gjatë.

Po. Largimi i punonjësve është një problematikë dhe me hapat e integrimit në BE do të jetë një dukuri e pranishme edhe për shumë vite. Një politikë industriale sa i përket tregut të punës e menduar, një strategji biznesi për të mbajtur këtu punnjësit ëhstë një nga zgjidhjet e problemit. A janë të gjithë bizneset në këtë standart dhe në këtë nivel sot? Jo të gjithë bizneset shqiptare janë në këtë stad sot”, thotë ministrja e ekonomisë dhe financës, Delina Ibrahimaj.

Autorët e Indeksit theksuan se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, monopoleve dhe konkurrencës së pandershme.

Por të anketuarit theksojnë se klima e biznesit është një çështje sfiduese për ta, sepse shumica e problemeve të ngutshme janë të vjetra dhe të parregulluara ndër vite.

“Të njëjtat çështje me një kokëfortësi qëndrojnë këtu me vite e vite me radhë: shqetësimet e tyre kryesore e të përhershme, dhe që janë përkeqësuar këtë vit, janë mungesa e punonjësve të kualifikuar, monopolet dhe konkurrenca e pandershme, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i korrupsionit”, thotë Enio Jaço, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Indeksi regjistron tregues të përkeqësuar më tej edhe sa u përket problemeve të vjetra të klimës së biznesit si monopolet dhe konkurrenca e padrejtë" (-2.95 pikë), korrupsioni (-0.79 pikë), burokracia qeveritare" (-1.64 pikë) dhe zbatimi i ligjeve (-1.32 pikë).

Të anketuarit pohuan se praktikat e drejta, të barabarta dhe transparente janë ende larg nga shpresat e kompanive dhe investitorëve.

Perceptimi i një pjese të madhe të anketuarve është negativ edhe sa u takon politikave dhe shërbimeve bankare, si dhe mbi sigurinë e financimit për zhvillimin e biznesit. Vlerësimi për marrëdhëniet me autoritetet e taksave u përkeqësua (-2.52 pikë), po ashtu si edhe për ministritë (-1.57 pikë).

Indeksi theksoi nevojën urgjente për të luftuar korrupsionin, monopolet, pabarazinë dhe konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale në partneritet midis autoriteteve publike dhe sektorit privat, duke vendosur zgjidhje afatgjata për një klimë të re dhe të qëndrueshme biznesi.

XS
SM
MD
LG