Në të gjithë Amerikën, vrasjet nga armët e zjarrit shënuan në vitin 2022 një numër gati rekord, me raste të shumta të shtënash masive, siç ishte sulmi në një shkollë fillore me motive urrejtjeje. Në përgjithësi, shkalla e vdekjeve nga armët e zjarrit u rrit në nivelin më të lartë në gati tre dekada. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins sjell hollësi.
Dhuna me armë u rrit në shumë komunitete amerikane në vitin 2022, duke përfshirë një numër gati rekord të incidenteve të të shtënave masive. Në maj, një person i armatosur 18-vjeçar, me një armë gjysmë automatike vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur në shkollën fillore Robb në Uvalde të shtetit të Teksasit. Ishte sulmi më vdekjeprurës në një shkollë amerikane në gati një dekadë. Një javë më vonë, presidenti Joe Biden iu drejtua vendit.
“Për atë Zot, sa masakra të tjera do të pranojmë? Sa jetë të tjera të pafajshme duhet të merren, para se të themi mjaft më?”
Ditë më parë, një 19-vjeçar tjetër kishte hapur zjarr po me një armë gjysmë automatike në një supermarket në Bufalo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 persona. I dyshuari tha se kishte në shënjestër njerëzit me ngjyrë.
Më 4 korrik në Hajlend Park të Illinoit, një person i armatosur qëlloi me 83 plumba në më pak se një minutë, nga maja e një ndërtese, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë që ishin mbledhur për një paradë në Ditën e Pavarësisë.
Në nëntor, një tjetër person i armatosur, vrau pesë persona dhe plagosi 17 të tjerë në një klub nate homoseksualësh në Kolorado. I dyshuari 22-vjeçar është akuzuar për vrasje dhe krime të motivuara nga paragjykimi.
Profesori i kriminologjisë, Jack McDevitt sheh një prirje shqetësuese.
"Kemi filluar të shohim më shumë raste të përdorimit të armëve për krime me bazë urrejtjen. Kjo nuk kishte ndodhur për një kohë të gjatë. Kemi filluar të shohim më shpesh njerëz që përdorin armë zjarri për të ndjekur viktimat që ata i perceptojnë si të ndryshëm”.
Të shtënat masive përkufizohen gjerësisht si një incident në të cilin katër ose më shumë njerëz qëllohen ose vriten, duke mos përfshirë sulmuesin. Ato ndodhin praktikisht në çdo shtet amerikan, duke arritur në më shumë se 600 incidente në mbarë vendin në vitin 2022. Disa shohin një lidhje midis rritjes së retorikës së urrejtjes dhe dhunës së nxitur nga paragjykimet.
“Retorika politike që kemi parë gjatë viteve të fundit sigurisht që ka kontribuar në këtë situatë, dhe mendoj se, së bashku me këtë rritje kemi parë edhe shtimin e grupeve të urrejtjes”, thotë Carlos Cuevas, ekspert i kriminologjisë në universitetin “Northeastern”.
Ndërkohë që të shtënat masive zënë titujt kryesor të lajmeve, ato përbëjnë një përqindje të vogël të më shumë se 40 mijë vdekjeve me armë të regjistruara në vitin 2022 në SHBA. Gjysma ishin vetëvrasje.
Në qershor, Kongresi miratoi legjin e parë kombëtar për armët në disa dekada. Ligji synon t’u mohojë të drejtën e blerjes së armëve atyre që konsiderohen si kërcënim për sigurinë publike si dhe parshikon shtimin e kontrolleve të së kaluarës për blerësit.
Ndërsa mbrojtësit e shtimit të kontrollit të armëve duan të shkojnë më tej dhe të ndalojnë armët gjysmë-automatike, në qershor Gjykata e Lartë amerikane rrëzoi një ligj të shtetit të Nju Jorkut, që kufizonte mbajtjen e armëve në publik. Mbrojtësit e të drejtave të armëve u entuziasmuan.
“Ajo që kam vënë re është se vendet që kanë ligje më të thjeshta për armët janë më të sigurta. Incidentet e fundit që kemi pasur, më bëjnë të mendoj se nëse një vend është i pambrojtur me armë zjarri, është një objektiv i mirë”, thotë Steven Lollo, instruktor armësh.
Ndërsa debati vazhdon, Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të vrasjeve me armë midis vendeve të industrializuara.