Lidhje

Parlamenti dhe Këshilli i BE-së merren vesh për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit Evropian thanë se arritën të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Njoftimi pasoi pajtimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me 30 nëntor për t'i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian që duhet të hyjë në fuqi “kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

ETIAS është sistemi në të cilin qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e Bashkimit Evropian duhet t'i regjistrojnë të dhënat e tyre para udhëtimit.

Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten shkroi se “më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të kërkojnë vizë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, shkroi ai.

Marrëveshja duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare ku nuk pritet asnjë problem dhe pastaj të konfirmohet nga Këshilli i BE-së.

Në vitin 2012 Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje dhe më 2018 rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën ndërsa e përsëriti në tetor të këtij viti.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e BE-së.

XS
SM
MD
LG