Lidhje

Kievi hedh poshtë propozimin e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Kissinger 


Henry Kissinger

Diplomati veteran amerikan Henry Kissinger tha se po afrohet koha për një paqe të negociuar në Ukrainë, për të zvogëluar rrezikun e një lufte tjetër shkatërruese botërore. Por Kievi i hodhi poshtë komentet e tij duke i cilësuar si përpjekje për të “qetësuar agresorin” duke shtuar se nuk mund të kishte asnjë marrëveshje që përfshin heqje dorë nga territori i saj.

Nëntëdhjetë e nëntë vjeçari Kissinger është takuar shumë herë me Vladimir Putinin e Rusisë që kur ai u bë president në vitin 2000. Zoti Kissinger njihet si arkitekti i politikës amerikane ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, kohë kur shërbente si sekretar Shteti nën presidentët republikanë Richard Nixon dhe Gerald Ford.

Luftës në Ukrainë, e cila filloi me sulmin e ushtrisë ruse më 24 shkurt, nuk po i duket fundi. Deri tani janë vrarë me dhjetëra mijëra njerëz dhe dëbuar miliona të tjerë nga shtëpitë e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë e kanë kritikuar sulmin.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës.

Kremlini thotë se Kievi duhet të pranojë aneksimin nga Moska të rajoneve jugore dhe lindore. Ukraina nga ana tjetër kërkon që çdo ushtar rus të largohet nga territori i saj, sikurse edhe nga Krimeja, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Kievi dorëzoi kërkesën për t'u bashkuar me NATO-n pasi Moska aneksime territore të reja shtesë ukrainase në shtator të këtij viti.

“Po afron koha për të punuar mbi ndryshimet strategjike që tani janë arritur dhe për t'i integruar ato në një strukturë të re, me synim arritjen e paqes përmes negociatave”, shkruante zoti Kissinger në revistën “The Spectator”.

“Një proces paqeje duhet të lidhë Ukrainën me NATO-n, sido që të bëhet kjo. Alternativa e neutralitetit nuk ka më kuptim”, vijonte ai më tej.

Konflikti në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014 pasi një president pro-rus u përmbys në Ukrainë dhe Rusia aneksoi Krimenë, me separatistët e mbështetur nga Rusia që luftonin forcat e armatosura të Ukrainës.

“Zoti Kissinger ende nuk ka kuptuar asgjë ... as natyrën e kësaj lufte, as ndikimin e saj në rendin botëror”, shkruante në rrjetin social “Telegram” ndihmësi i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak.

“Receta që ofron ish-sekretari i Shtetit, por ka frikë ta thotë me zë të lartë, është e thjeshtë: qetësoni agresorin duke sakrifikuar pjesë të Ukrainës me garanci për të mos sulmuar shtete të tjera të Evropës Lindore”.

Ai shtoi se “të gjithë mbështetësit e zgjidhjeve të thjeshta duhet të kujtojnë atë që duket qartë: çdo marrëveshje me djallin, një paqe e negociuar keq në kurriz të territoreve të Ukrainës, do të jetë një fitore për Putinin dhe një recetë suksesi për autokratët në mbarë botën”.

Aaron David Miller, bashkëpunëtor i lartë në institutin e ekspertëve “Carnegie Endowment”, gjithashtu hodhi poshtë propozimin e zotit Kissinger.

Drejtori i Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, tha në një intervistë të botuar të shtunën se ndërsa shumica e konflikteve përfundojnë me negociata, vlerësimi i CIA-s ishte se Rusia nuk është ende serioze për negociata për t'i dhënë fund luftës.

Vladimir Putin e konsideron atë që ai e quan “operacion special ushtarak” si një moment vendimtar kur Rusia më në fund u ngrit kundër Perëndimit. Moska thotë se Perëndimi udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, të cilën e fajëson se ka kërkuar të përfitojë nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 duke e shkatërruar Rusinë.

Ukraina dhe Perëndimi thonë se presidenti Putin nuk ka asnjë justifikim për atë që ata thonë se është një luftë pushtuese e stilit perandorak.

Henry Kissinger paralajmëroi se dëshirat për ta bërë Rusinë “të pafuqishme”, apo edhe për të kërkuar shpërbërjen e Rusisë, mund të nxisin kaos. As Ukraina dhe as ndonjë shtet perëndimor nuk kanë kërkuar diçka të tillë.

XS
SM
MD
LG