Lidhje

Presidenti Zelenskyy pritet të vizitojë të mërkurën Uashingtonin


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet të vizitojë Uashingtonin të mërkurën, sipas tre burimeve të agjencisë së lajmeve Associated Press, në udhëtimin e tij të parë të njohur jashtë vendit që nga fillimi i agresionit rus në shkurt.

Dy burime nga Kongresi amerikan dhe një person që ka dijeni për vizitën konfirmuan planet për ardhjen e tij. Ata folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës shumë të ndjeshme të udhëtimit. Ata thanë se vizita e zotit Zelenskyy, megjithëse e pritshme, mund të anulohet në minutën e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Gjatë vizitës në Uashington, zoti Zelenskyy pritet të mbajë një fjalim para Kongresit dhe të takohet me Presidentin Joe Biden. Vizita bëhet ndërsa ligjvënësit pritet të votojnë për një paketë shpenzimesh në fund të vitit që përfshin rreth 45 miliardë dollarë ndihmë urgjente për Ukrainën dhe SHBA përgatitet të dërgojë raketa “Patriot” në vend për të ndihmuar në mbrojtjen nga agresioni rus.

Ndihma e fundit do të ishte më e madhja nga Shtetet e Bashkuara deri tani për Ukrainën, një sasi edhe më e madhe sesa kërkesa urgjente prej 37 miliardë dollarësh e Presidentit Joe Biden.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi inkurajoi ligjvënësit që të jenë gati për seancën e së mërkurës në mbrëmje.

"Po përfundojmë një sesion shumë të veçantë të Kongresit të 117-të me legjislacion që ndihmon popullin amerikan si dhe mbështetje për demokracinë tonë," shkruante zonja Pelosi të martën në një letër drejtuar kolegëve. "Ju lutemi të jeni të pranishëm për një seancë me fokus shumë të veçantë mbi demokracinë të mërkurën mbrëma."

Presidenti Zelenskyy - pothuajse çdo ditë - u është drejtuar parlamenteve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare me video dhe bashkëshortja e tij ka vizituar kryeqytetet e huaja për të bërë thirrje për ndihmë kundër pushtimit rus.

Vizita vjen një ditë pasi ai bëri një udhëtim të guximshëm dhe të rrezikshëm në atë që ai e quajti pikën më të nxehtë në vijën e frontit prej 1300 km, në qytetin e Bakhmut në rajonin e kontestuar të Donetskut të Ukrainës.

Në një video të lëshuar nga zyra e tij nga vizita në Bakhmut, zotit Zelenskyy iu dorëzua një flamur ukrainas që ai la të kuptohej se do t’ia jepte udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara.

"Djemtë më dhanë flamurin tonë të bukur ukrainas me nënshkrimet e tyre," tha zoti Zelenskyy në video. “Nuk jemi në një situatë të lehtë. Armiku po i shton forcat dhe njerëzit tanë janë më të guximshëm dhe kanë nevojë për armë më të fuqishme. Do t’ia japim atë nga djemtë Kongresit, Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne u jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre, por nuk mjafton", tha ai.

XS
SM
MD
LG