Forcat izraelite vranë të hënën një militant të Hamasit dhe një palestinez tjetër në një shkëmbim zjarri pranë qytetit Jenin të Bregut Perëndimor, që nisi kur ushtria shkoi për të shkatërruar shtëpitë e dy të armatosurve të vrarë, thanë burimet palestineze.
Vdekjet në fshatin Kafr-Dan ishin të parat për palestinezët që kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rimori detyrën javën e kaluar në krye të një koalicioni të djathtë.
Ushtria izraelite konfirmoi aksionin për të rrafshuar shtëpitë e dy palestinezëve përpara se ata të qëlloheshin për vdekje. Ata kishin vrarë një nga komandantët e saj në Bregun Perëndimor vitin e kaluar.
Nuk pati viktima mes trupave izraelite.
Hamasi, grupi islamik që drejton Rripin e Gazës dhe ka prani edhe në Bregun Perëndimor, tha se një nga palestinezët e vrarë, 17 vjeç, ishte anëtar i tij.
Në një deklaratë, Hamasi, që është kundër bashkëjetesës me Izraelin, u zotua se "do të vazhdojë rezistencën dhe do të përballet me terrorizmin dhe fashizmin e qeverisë së re të pushtuesve."
Nuk ka patur ende konfirmim nëse palestinezi tjetër, 21 vjeç, kishte I përkiste ndonjë grupi.
Në Ramallah, kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh, e konsideroi Izraelin përgjegjës për çdo përshkallëzim që mund të rezultojë nga "vrasjet dhe inkursionet e përditshme".