Lidhje

Përdorimi i satelitëve dhe inteligjencës artificiale për të ndihmuar të varfërit 


Togo Targets COVID-19 Relief With Satellites, Mobile Phones, Artificial Intelligence

Pandemia COVID-19 detyroi disa qeveri të mendonin për mënyra të reja për të ndihmuar qytetarët e tyre të varfër. Në Togo, të dhënat satelitore dhe inteligjenca artificiale ndihmuan për të përqëndruar ndihmën tek personat që kishin më së shumti nevojë për atë.

Përdorimi i satelitëve dhe inteligjencës artificiale për të ndihmuar të varfërit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Muratori Eli Koumako thotë se në vitin 2020 biznesi i tij pësoi rënie të madhe në kryeqytetin e Togos, Lome për shkak të pandemisë së COVID-19.

"Ngelëm pa punë dhe nuk mund të fitonim para për të ushqyer familjet tona. Ishte një goditje e rëndë për ne", thotë ai.

Miliona njerëz si zoti Koumako filluan të përballeshin me varfërinë ekstreme për shkak të mbylljeve nga pandemia në mbarë botën.

Qeveritë u përpoqën të ofronin ndihmë për këta njerëz. Por ato u ndeshën me një problem të madh, thotë ekspertja e shkencave kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, Emily Aiken.

"Në shumë vende, veçanërisht në ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme, autoritetet nuk kishin shumë të dhëna mbi njerëzit që kishin nevojë për ndihmë", thotë ajo.

Si mund të gjendeshin njerëzit në nevojë, në një vend me 8 milionë banorë, me zona të mëdha rurale?

Për zgjidhjen e këtij problemi lindi ideja e përdorimit të imazheve satelitore, thotë Josh Blumenstock nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley.

"Nëse i analizojmë imazhet satelitore të kompanisë Google apo ndonjë kompanie tjetër që ofron të dhëna satelitore, ne mund të mësojmë nëse një qytet është i zhvilluar apo i varfër. Shtëpitë e banorëve të pasur zakonisht kanë çati metali, ndërsa ato të banorëve më të varfër janë të mbuluara me kashtë. Lagjet më të pasura kanë rrugë të asfaltuara, parcela më të mëdha toke, shtëpi me një distancë më të madhe nga njëra-tjetra, me gardhe e kështu me radhë. Pra, imazhet ofrojnë shumë informacion", thotë ai.

Studiuesit përdorën inteligjencën artificiale për të identifikuar këto dallime dhe krijuan një hartë të rajoneve më të varfra të Togos.

Hapi tjetër ishte identifikimi i njerëzve të këtyre rajoneve që kishin më së shumti nevojë për ndihmë. Studiuesit përdorën teknologjinë e inteligjencës artificiale për të studiuar modelet e përdorimit të telefonit celular, thotë ekspertja Emily Aiken.

"Të pasurit bëjnë më shumë telefonata sesa njerëzit e varfër. Ata gjithashtu mund të bëjnë më shumë telefonata ndërkombëtare, pasi ato janë shumë të shtrenjta. Ata mund të përdorin më shumë shërbime celulare sepse kanë telefona inteligjentë, ndërsa në përgjithësi, njerëzit më të varfër kanë telefona më të thjeshtë", thotë ajo.

Në një artikull të botuar në revistën “Nature”, zonja Aiken dhe kolegët e saj thonë se sistemi bëri një punë më të mirë në identifikimin njerëzve në nevojë sesa përpjekja e parë e qeverisë së Togos.

Programi e ndihmoi zotin Koumako dhe familjen e tij në një kohë të vështirë, thotë ai.

"Me paratë e këtij programi ne ishim në gjendje të blinim ushqim. Kishim diçka për të ngrënë në shtëpi", thotë ai.

Banka Botërore ka ndjekur me vëmendje këtë projekt ndihme të menaxhuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale, thotë ekonomistja Tara Vishwanath.

"Kjo teknologji mund të ketë një zbatim të gjërë sepse rreziqet dhe krizat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme", thotë ekonomistja Tara Vishwanath.

Ajo thotë se satelitët dhe inteligjenca artificiale mund të ndihmojnë në shpërndarjen më të shpejtë të ndihmës në rajonet e goditura nga katastrofat klimatike, konfliktet dhe kriza të tjera.

XS
SM
MD
LG