Lidhje

Mali i Zi, dështon përpjekja për formimin e qeverisë së re


Shumica parlamentare në Mal të Zi, e përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, demokratët dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit nuk arritën të mërkurën një marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Pas një takimi me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, Miograd Lekiqit, përfaqësues i Frontit Demokratik, dhe i mandatuar për formimin e qeverisë së re bëri të ditur se përpjekjet kishin dështuar.

Kam thënë se ose do të ketë një qeveri serioze, ose nuk do të ketë fare. Nuk do të ketë qeveri dhe le t’ua lëmë qytetarëve që ta interpretojnë vetë se cili ishte serioz (në këtë proces)”, tha zoti Lekiq pas takimit, ku pritej të vendosej për qeverinë e re dhe datën e seancës plenare për votimin e qeverisë së 44-t të Malit të Zi.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, shumica parlamentare i dha Miograd Lekiqit mandatin që të formojë qeverinë e re, bazuar në ndryshimet në ligjin për Presidentin, ndryshime këto që nxitën debate të brendshme e Kritika ndërkombëtare.

Shumica parlamentare i bëri ndryshimet pas refuzimit të presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që të mandatonte zotin Lekiqin për formimin e qeverisë së re, duke ia hequr atij kompetencat në këtë drejtim.

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, u detyrua t’i nënshkruajë ndryshimet në ligj vetëm herët e dytë pasi ato u futën automatikisht në fuqi. Nga ana tjetër Komisioni i Venecias i ka cilësuar ato si jokushtetuese.

Partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, i kanë bërë thirrje vazhdimisht shumicës parlamentare që të mos tentojë të formojë qeverinë e re bazuar në ligjin e ndryshuar për Presidentin, duke paralajmëruar se një qeveri e tillë do të kishte legjitimitet që potencialisht do të kundërshtohej.

Një seancë për votimin e qeverisë isht eparashikuar të mbahej me 19 janar. Por një prej udheheqësve të Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, tha se mbledhja do të jetë e pamundur për shkak se koalicioni i Dritan Abazoviqit, nuk kanë paraqitur nënshkrimet për mbajtjen e saj.

Ai tha se “kryetarja e parlamentit të Danijela Gjuroviq, dhe presidenti Milo Gjukanoviq, duhet të pajtohen për të thirrur zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare”, pasi mandati i zoti Gjukanoviq mbaron në pranverën e këtij viti.

Në shtator, partitë e shumicës parlamentare refuzuan nismën e presidentit Gjukanoviq për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të reja, me qëllim që të formohej qeveria e re.

Komisioni Evropian i ka bërë thirrje parlamentit që të tërhiqet nga ligji për Presidentin, duke shprehur frikën se ky veprim do ta zhyste Malin e Zi në kaos kushtetues.

Kriza politike në Mal të Zi kulmoi me rënien e qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, për shkak të nënshkrimit të një marrëveshjeje nga ana e tij me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq dhe një pjesë e opozitës, e konsideruan në kundërshtim me interesat kombëtare.

Pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Abazoviç, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiq. Presidenti Gjukanoviq e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.

Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin duke e cilësuar në shkelje të Kushtetutës.

BE-ja u ka bërë bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusi ndërpartiak, si përparësi kryesore. Brukseli thekson se përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit kërkon që të gjithë aktorët politikë të mbështesin funksionimin e institucioneve demokratike.

Shumica parlamentare numëron 41 vende në parlamentin malazez prej 81 vendeve dhe përbëhet nga partitë që fituan në zgjedhjet e vitit 2020, duke e mposhtë partinë e Gjukanoviqit, pas tri dekadash në pushtet. Po kështu Gjykata Kushtetuese në Mal të Zi është aktualisht jofunksionale pasi i mungojnë 4 anëtarë. Shumica aktuale në parlament nuk i ka numrat e duhur për zgjedhjen e tyre dhe ka nevojë për votat e opozitës.

XS
SM
MD
LG