Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Çeki, rivalët përplasen mbi mbështetjen për Ukrainën


Former Czech Republic's Prime Minister and presidential candidate Andrej Babis addresses media during a press conference in Pruhonice, Czech Republic, Jan. 9, 2023.

Të premten në Republikën Çeke zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Në mesin e çështjeve kryesore në fushatën zgjedhore, kanë qënë mbështetja e Republikës Çeke për Ukrainën, si dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe Kinën. Anketat tregojnë se tre kandidatë janë në një garë të ngushtë për kreun e vendit.

Zgjedhjet presidenciale në Çeki, rivalët përplasen mbi mbështetjen për Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Një nga kandidatët për president të Republikës Çeke është ish-kryeministri Andrej Babiš, i cili mori një nxitje disa ditë para zgjedhjeve.

Një gjykatë në Pragë, të hënën e liroi atë nga akuzat për mashtrim financiar, që lidhen me keqpërdorimin e subvencioneve të Bashkimit Evropian me një vlerë prej dy milionë dollarësh. Ai e cilësoi hetimin ndaj tij si një “proces politik”.

“Mendoj se është një lajm i mirë për të gjithë Republikën Çeke, për të gjithë qytetarët e Republikës Çeke, se ne jetojmë në një shtet ku sundon ligji”, tha ai.

Andrej Babiš konsiderohet një kandidat populist dhe aleat politik i presidentit në largim, Miloš Zeman. Ai ka kritikuar qeverinë dhe BE-në për çështje si emigracioni dhe mbështetja për Ukrainën. Kjo i ka dhënë atij mbështetje, por gjithashtu ka mobilizuar kritikët e tij.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Pragës të dielën për të kërkuar një president më properëndimor.

“Për 20 vjet ne kemi patur presidentë si zoti Zeman, për të cilët ne jemi të turpëruar. Prirjet e tyre pro-ruse, pro-kineze kanë qenë zhvlerësuese për ne”, thotë regjisori Václav Marhoul.

Një nga rivalët e zotit Babiš është gjenerali në pension Petr Pavel, i cili ka qenë kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Slogani i tij i fushatës së tij është "Sillni rend dhe qetësi".

Danuse Nerudova dhe Petr Pavel gjatë nje debati presidencial në Pragë.
Danuse Nerudova dhe Petr Pavel gjatë nje debati presidencial në Pragë.

Kandidati i tretë kryesor është Danuše Nerudová, ish-ekonomiste dhe rektore universiteti, e cila ka premtuar një presidencë progresive, pro-evropiane.

“Petr Pavel dhe Danuše Nerudová janë shumë të përkushtuar ndaj Republikës Çeke si një demokraci liberale dhe gjithashtu më gjerësisht ndaj rolit të saj në rendin liberal”, thotë Benjamin Tallis nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive. Por analistët thonë se fitorja e e zotit Babiš do t'ia vështirësonte punën qeverisë aktuale, e cila ka mbajtur një qëndrim të fortë pro-ukrainas pas agresionit rus ndaj këtij vendi.

“Ai mendon se ne po ofrojmë mbështetje dhe ndihmë të tepruar për Ukrainën dhe refugjatët ukrainas. Por, unë mendoj se zoti Babiš nuk do të jetë njësoj si zoti Zeman, një president pro-rus dhe pro-kinez, sepse interesat e tij të biznesit janë të lidhura me Evropën Perëndimore dhe Qendrore”, thotë Lubomír Kopeček, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Masaryk.

Republika Çeke dhe Sllovakia së fundmi shënuan tridhjetë vjetorin e ndarjes paqësore të Çekosllovakisë pas rënies së komunizmit. Për disa votues, ngjarjet historike kanë një rëndësi të veçantë, thotë analisti Benjamin Tallis.

“Mësimet që Republika Çeke ka nxjerrë nga historia për rezistencën ndaj autokracisë, vlerën e demokracisë, se si ukrainasit kanë ringjallur kujtimet mbi rëndësinë e luftës dhe vdekjes për lirinë dhe të drejtat. Çfarë është në të vërtetë liria dhe ku është shpresa e asaj të ardhmeje progresive?”, thotë ai.

Raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 13 janar. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, dy kandidatët me numrin më të madh do të ndeshen pas dy javësh në balotazh.

XS
SM
MD
LG