Lidhje

Evgenia Kara-Murza: Shtypja e opozitës në Rusi, është intensifikuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë


Evgenia Kara-Murza, gruaja e politikanit opozitar rus Vladimir Kara-Murza, i cili u arrestua dhe u burgos në Moskë për fjalime kundër luftës në Ukrainë, flet në një intervistë për Zërin e Amerikës për shtypjen ndaj shoqërisë civile në Federatën Ruse dhe rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër regjimit të Putinit.

Evgenia Kara-Murza: Shtypja ndaj shoqërisë civile në Rusi, masive
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Bashkëshortja e politikanit të opozitës rus Vladimir Kara-Murza, i burgosur në Moskë që nga prilli i vitit 2022 për pozicionin e tij të hapur kundër luftës në Ukrainë dhe kritikat e vazhdueshme ndaj Kremlinit, thotë se shtypja e opozitës në Rusi po përkeqësohet.

“Që nga shkurti, mbi 20 mijë njerëz janë arrestuar në mënyrë arbitrare në të gjithë vendin dhe 19 mijë e 500 prej tyre janë arrestuar për kundërshtimin e luftës kundër Ukrainës. Numri i çështjeve penale të ngritura kundër protestuesve të luftës ka arritur në pothuajse 400. Ka raportime të shumta për torturë, përdhunime dhe metoda të tjera të dhunshme të përdorura kundër protestuesve”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Vladimir Kara-Murza është vetëm një nga ata që janë arrestuar dhe akuzuar sipas legjislacionit të ri të miratuar, vetëm nëntë ditë pasi kishte filluar agresioni në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.

“Ndaj bashkëshortit tim janë ngritur deri më tani tre akuza penale. E para ishte për përhapjen e të ashtuquajturit lajm i rremë për veprimet e forcave të armatosura ruse në territorin e Ukrainës. Akuza e dytë është për zhvillimin e një aktiviteti në mbështetje të të burgosurve politikë në Qendrën Sakarov të Moskës në tetor të vitit 2021. Dhe akuza e tretë për tradhti të lartë bazohet në tre fjalime publike që ai mbajti në NATO, në Komisionin Norvegjez të Helsinkit dhe Kongresin Amerikan ku foli për represionin e gjerë politik në Rusi, Bazuar në këto tre fjalime publike që mund të gjenden në internet, Vladimiri u akuzua për tradhti të lartë dhe tani po përballet me një dënim të rreptë deri në njëzet e katër vjet burg në Rusi”.

Evgenia Kara-Murza e sheh fitoren e luftës në Ukrainë si hapin e parë të rëndësishëm për të siguruar përmbysjen e regjimit të Putinit, të gërshetuar me sanksionet e perëndimit dhe mbështetjen e zërave opozitarë të shoqërisë civile në Rusi.

“Besoj se janë tre faktorë që në fakt do të siguronin një gjë të tillë. Para së gjithash, po absolutisht fitorja e Ukrainës në këtë luftë dhe jo vetëm fitorja e Ukrainës, por fitorja e Ukrainës sipas kushteve të Ukrainës, që do të thotë se çdo ushtar rus duhet të largohet nga territori ukrainas, duke përfshirë zonat e pushtuara në mënyrë të paligjshme. // E dyta janë sanksionet. Sanksionet duhet të bëhen më të forta dhe duhet të zgjerohen edhe më shumë dhe jo vetëm sanksionet ekonomike por edhe sanksionet për persona të veçantë, si sanksionet Magnitsky. Këto janë një mekanizëm i fuqishëm që lejojnë vendet perëndimore të ngrijnë pasuritë e atyre zyrtarëve dhe oligarkëve të regjimit të Putinit që kanë vjedhur për vite me radhë nga taksapaguesit rusë dhe i kanë fshehur pasuritë e vjedhura në sistemet bankare perëndimore. Këto sanksione gjithashtu ato do të dërgonin një mesazh shumë të fuqishëm solidariteti me atë pjesë të shoqërisë civile ruse që vazhdon të protestojë kundër luftës, që vazhdon të kundërshtojë regjimin, dhe besoj se është faktori i tretë që do të afronte rënien e regjimit”.

Zonja Kara-Murza tha se mbështetja për atë pjesë të shoqërisë civile ruse që e kupton shumë mirë se çfarë po ndodh dhe përpiqet të protestojë duke rrezikuar shpesh lirinë dhe jetën e tyre, është e domosdoshme.

“Dhe nëse duam që Rusia një ditë të bëhet një demokraci, duhet të ketë njerëz që do të jenë të gatshëm të ndërmarrin atë detyrë jashtëzakonisht të vështirë për të rindërtuar vendin e tyre nga e para, nga rrënojat. Dhe besoj se do të jenë këta njerëz që tani protestojnë që kuptojnë se çfarë po ndodh. Në mënyrë që ata të jenë aty për të rindërtuar vendin, para së gjithash, duhet të mbijetojnë dhe duhet që për të mbijetuar duhet të ndjejnë mbështetjen dhe solidaritetin e botës demokratike perëndimore, pjesë e së cilës duan shumë të jenë”, tha zonja Kara-Murza.

XS
SM
MD
LG