Lidhje

Shqipëri, përkeqësohet situata për shkak të reshjeve


Shqipëri, përkeqësohet situata për shkak të reshjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Shqipëri, përkeqësohet situata për shkak të reshjeve

Edhe gjatë kësaj të enjteje ka vazhduar të përkeqësohet situata në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë për shkak të reshjeve të dendura, të shoqëruara edhe me stuhi.

Autoritetet vendore njoftojnë për dëmtime në infrastrukturën rrugore dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe përmbytje, kryesisht në zonën fushore të Shkodrës dhe Lezhës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, paralajmëroi një përkeqësim të mëtejshëm të situatës gjatë ditës së sotme dhe në vazhdim, deri më 21 janar, kur edhe parashikohet piku i reshjeve.

“Në ditën e sotme parashikohet të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Drin, Buna, Mat dhe Vjosë. Për pasojë, pritet të kemi shtim të përmbytjeve në pjesën e Nënshkodrës dhe zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të liqenit. Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme, do të ketë edhe në Lumin Vjosë”, tha ai.

Ministri Peleshi përsëriti kërkesën drejtuar njësive vendore për monitorimin e situatës dhe përgatitjen e kapaciteteve të nevojshme në rast evakuimi të banorëve nga zonat e rrezikuara.

Për shkak të situatës së krijuar, Ministria e Arsimit njoftoi sot pezullimin e mësimit në 56 shkolla të vendit, kryesisht në Shkodër, Lezhë dhe Tropojë.

Rritja e prurjeve të ujit nga lumenjtë Drin, Buna, Kir dhe Gjadër, shoqëruar me shtimin e shkarkimeve nga Hidrocentrali Vau Dejës, po zgjeron me shpejtësi hartën e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës, kryesisht në Oblikë, Obot, Muriqan dhe Suka të Dajçit.

“Pra, kemi rreth 1000 hektarë tokë të përmbytura nga uji për dy ditë. Sot është bllokuar edhe rruga e Obotit. Problematik mbetet fshati Muriqan, i cili ka mbi 400 ha të përmbytura në lagjet Goricë, Kurtalija dhe Xhaka, të cilat kanë edhe shumë sera”, thotë administratori i njësisë “Ana e Malit”, Arben Cemi.

Reshjet, të shoqëruara me stuhi të forta, kanë dëmtuar shumë segmente rrugore, kryesisht në zonat malore në veri të vendit si dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

“Furtunat dhe shirat, me reshje shumë të forta, kanë bërë dëme të mëdha në linjat e kompanisë OSHE, që shpërndan energjinë elektrike. Janë marrë masat, atje ku ne kemi mundur, për të rikthyer energjinë elektrike. Nëse dje kemi pasë stakim të energjisë elektrike për 6600 abonentë, sot kemi arritur në gati 800 abonentë. Pjesës tjetër i është rikthyer energjia elektrike”, thotë drejtori rajonal i OSHE, Armand Zhuka.

Për shkak të përkeqësimit të situatës janë vënë në gatishmëri strukturat e emergjencave civile. Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se në gatishmëri janë 1200 forca të ushtrisë dhe 450 mjete, përfshirë edhe tre helikopterë.

XS
SM
MD
LG