Lidhje

Grupi rus “Wagner” do t’i dërgojë Kievit trupat e ushtarëve të vrarë në Soledar


Përpara zyrave të reja të grupit "Wagner" në Shën Petersburg, Rusi (4 nëntor 2022)

Grupi privat ushtarak rus “Wagner” do të dërgojë trupat e ushtarëve ukrainas, të vrarë gjatë luftimeve në qytetin Soledar, drejt territorit që kontrollohet nga Ukraina, njoftoi të shtunën një faqe në internet e lidhur me themeluesin e këtij grupi, Yevgeny Prigozhin.

Grupi “Wagner” njoftoi më 11 janar se kishte kapur qytetin Soledar, dhe autoritetet e emëruara nga Rusia në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, thanë këtë javë se kanë nën kontroll qytetin e gjendur pranë minierave të kripës ku pati luftime intensive.

Faqja në internet RIA FAN, pjesë e mediave të zotit Prigozhin, citoi një komandant të grupit “Wagner” të thotë se një kompani mercenarësh do t’i dërgojë trupat nga Soledari drejt territorit të mbajtur nga ukrainasit, nëpërmjet katër apo pesë autokolonash me gjithsej 20 kamionë.

Njoftimi i së shtunës nuk informon se sa trupa do t’i riktheheshin autoriteteve ukrainase, por në të thuhet se forcat ukrainase kishin pësuar humbje të rënda në Soledar.

Njoftimi thotë se zoti Prigozhin kishte bërë të qartë se trupat e ushtarëve duhet t’i ktheheshin Ukrainës në një mënyrë “dinjitoze”, por nuk dha detaje të mëtejshme për operacionin e planifikuar.

Autoritetet ukrainase thanë gjatë luftimeve për Soledarin se forcat ruse kishin pësuar humbje të mëdha.

Zoti Prigozhin, i cili më parë qëndronte larg vëmendjes së mediave dhe mohonte lidhjet me grupin Wagner, pranoi në shtator se ai e ka themeluar këtë ushtri mercenarësh, që ka luajtur një rol kryesor në konflikt. Ai e përshkroi grupin “Wagner”, si një forcë plotësisht të pavarur, që ka avionë, tanke, raketa dhe artileri të vetat.

Yevgeny Prigozhin
Yevgeny Prigozhin

Të premten Shtetet e Bashkuara njoftuan se të vendosin javën e ardhshme sanksione shtesë kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se ka ndihmuar ushtrinë ruse në luftën ndaj Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Departamenti i Thesarit do ta përcaktojë grupin Wagner, si një Organizatë Kriminale Ndërkombëtare.

Përcaktimi i grupit mercenar Wagner si Organizatë Kriminale Ndërkombëtare sipas urdhrit ekzekutiv 13581 të SHBA-së ngrin çdo pasuri të tij në SHBA dhe u ndalon amerikanëve të japin fonde, mallra ose shërbime për grupin.

Muajin e kaluar Shtëpia e Bardhë tha se Grupi Wagner kishte marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut për të ndihmuar forcat ruse në Ukrainë, një tregues i rolit në rritje të atij grupi në konflikt.

"Ndërsa vlerësojmë se sasia e materialit që iu dha grupit Wagner nuk ka ndryshuar dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë, ne parashikojmë që ajo të vazhdojë të marrë sisteme armësh nga Koreja e Veriut," tha ai.
Zoti Kirby tha se presidenti rus Vladimir Putin është mbështetur gjithnjë e më shumë tek Wagner për mbështetje ushtarake, duke shkaktuar disa tensione në Moskë.

Zoti Kirby duke folur për grupin rus "Wagner" (20 janar 2023)
Zoti Kirby duke folur për grupin rus "Wagner" (20 janar 2023)

"Ne po shohim shenja, përfshirë të dhëna zbulimi, se tensionet midis Wagner-it dhe Ministrisë së Mbrojtjes ruse po rriten," tha ai. "Wagner po bëhet një qendër fuqie rivale për ushtrinë ruse dhe ministritë e tjera ruse."

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se grupi Wagner ka aktualisht rreth 50,000 pjesëtarë të tij të dislokuar në Ukrainë, përfshirë 10,000 kontraktorë dhe 40,000 të dënuar të rekrutuar nga burgjet ruse.

"Informacionet tona tregojnë se Ministria ruse e Mbrojtjes ka rezerva në lidhje me metodat e rekrutimit të (grupit) Wagner. Pavarësisht kësaj, ne vlerësojmë se ka të ngjarë që Wagner të vazhdojë të rekrutojë të burgosur rusë," tha ai.

Grupi Wagner nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi komentet e zotit Kirby.

XS
SM
MD
LG