Lidhje

Norvegjia mohon planet për ta dëbuar në Rusi një ish-komandant të organizatës mercenare Wagner


Andrei Medvedev
Andrei Medvedev

Policia norvegjeze ka arrestuar një ish-komandant të grupit mercenar rus Wagner, i cili u arratis kohët e fundit në Norvegji, por mohoi sugjerimet se ai mund të deportohej drejt Rusisë.

Një grup rus për të drejtat e të burgosurve, Gulagu.net, publikoi regjistrimin e një interviste telefonike me Andrei Medvedev të hënën, ku ai i kërkon Norvegjisë që ta linte të qëndronte në vend dhe të dëshmonte kundër grupit ushtarak privat Wagner, i përfshirë në disa prej luftimeve më brutale kundër forcave ukrainase.

Andrei Medvedev tha se ai ishte ndaluar dhe vënë në pranga të dielën në një hotel ku po qëndronte dhe ishte dërguar në një qendër paraburgimi. Rrjeti Gulagu.net tha se Medvedev-it i ishte komunikuar dëbimi drejt Rusisë.

I pyetur në lidhje me pretendimin, një zëdhënës i policisë norvegjeze u shpreh: “Jo, kjo nuk është e saktë", pa dhënë detaje të mëtejshme.

Brynjulf Risnes, avokati norvegjez i zotit Medvedev, tha se klienti i tij nuk rrezikon të dëbohet dhe se ai është ndaluar për shkak të "mosmarrëveshjeve" rreth masave të marra për të garantuar sigurinë e tij.

“Ai është nën masa shumë të rrepta sigurie dhe ne nuk pajtohemi për mënyrën e zbatimit të tyre. Këto kanë shkaktuar fërkime”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, avokati Risnes.

Andrei Medvedev ka qenë komandant skuadre në grupin mercenar Wagner i cili po lufton për Rusinë në konfliktin në Ukrainë.

Ai u fut në Norvegji duke kaluar kufirin me Rusinë ndërsa është shprehur se i rrezikohet jeta pasi ka qenë dëshmitar i vrasjeve dhe keqtrajtimeve të të burgosurve rusë që luftonin kundër Ukrainës në emër të grupit Wagner.

Gulagu.net, një grup rus që bën fushatë për të drejtat e të burgosurve dhe ka qenë në kontakt me rusin Medvedev, tha se ai ishte ndalur të dielën nga forcat e rendit dhe po dërgohet në një qendër paraburgimi dhe do të dëbohej.

Grupi rus i të drejtave të njeriut tha se nëse zoti Medvedev kthehet në Rusi, ai do të përballet me "vrasje brutale dhe vdekje" për akuzat ndaj grupit Wagner.

“Ne nuk po e fshijmë të kaluarën e Medvedev-it. Ai ka bërë shumë të këqija në jetën e tij”, tha grupi i të drejtave.

“Por ai ka ndyshuar dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me botën, me hetimin ndërkombëtar dhe autoritetet norvegjeze. Ai dëshiron të jetojë dhe dëshmojë kundër Wagner-it dhe themeluesit Yevgeny Prigozhin”, shtoi grupi rus i të drejtave të njeriut.

Andrei Medvedev është jetim, i cili ka shërbyer në ushtrinë ruse dhe ka bërë burg përpara se të lidhte një kontratë katër-mujore me grupin Wagner korrikun e vitit të kaluar. Ai tha se Wagner e kishte zgjatur vazhdimisht kontratën pa pëlqimin e tij.

Ai ka thënë se e kaloi kufirin ruso-norvegjez të mbuluar nga bora në Rrethin Arktik duke kapërcyer telat me gjemba pasi iu shmang një patrulle me qen kufiri.

XS
SM
MD
LG