Lidhje

Lezhë, goditet për shkak të detyrës gazetari Elvis Hila


Gazetari Elvis Hila, duke marrë trajtim në spital
Gazetari Elvis Hila, duke marrë trajtim në spital

Policia e Lezhës njoftoi se gazetari i Report TV, Elvis Hila, është goditur pasditen e sotme për shkak të detyrës nga dy persona në qytetin e Lezhës dhe se është dhunuar fizikisht edhe bashkëshortja e tij.

Në njoftimin e saj, policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 dhe se ka identifikuar si autorë të goditjes së gazetarit dhe bashkëshortes shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati të Lezhës, të cilët janë shpallur në kërkim policor dhe po vazhdojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Gazetari Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij kanë marrë trajtim mjekësor në spitalin e qytetit të Lezhës dhe, më pas, janë larguar dhe kanë bërë denoncim në policinë lokale.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, gazetari Elvis Hila tha se, fillimisht është telefonuar dhe kërcënuar nga një numër i paidentifikuar në lidhje me një lajm të publikuar.

Më pas, dy persona kanë kërkuar ta nxjerrin nga makina e tij, ku ishte me bashkëshorten dhe, në pamundësi, i kanë goditur të dy fizikisht.

Ky është rasti i dytë që në Lezhë kërcënohen gazetarët, të cilët raportojnë nga terreni për mediat qendrore në Tiranë.

Në tetor të vitit 2020, gazetarit Elidon Ndreka iu vendos një sasi lëndë shpërthyese në hyrje të banesës. Autorët ende nuk janë zbuluar nga policia.

XS
SM
MD
LG