Një shpërthim i fuqishëm në një xhami të mbushur plot me besimtarë në Pakistanin veriperëndimor la pas vetes të paktën 34 të vrarë dhe më shumë se 150 të plagosur.
Sulmi në qendër të Peshawarit, kryeqyteti i provincës Khyber Pakhtunkhwa, thuhet se u krye nga një sulmues vetëvrasës.
Një zyrtar i lartë i sigurisë, zëvendës komisionari Shafiullah Khan, konfirmoi numrin e viktimave për televizionin shtetëror, duke shprehur frikën se numri i të vdekurve mund të rritet.
Zyrtarët e spitalit të qytetit konfirmuan se kanë pranuar dhjetëra të plagosur dhe e përshkruan gjendjen e disave prej tyre si "kritike".
Të mbijetuarit dhe punonjësit e ekipeve të shpëtimit thanë se çatia e ndërtesës u rrëzua nga shpërthimi masiv.
Zyrtarët e policisë nuk deshën të diskutojnë menjëherë natyrën e sulmit i cili u dënua nga kryeministri Shahbaz Sharif.
Xhamia frekuentohej nga zyrtarë të sigurisë dhe të qeverisë. Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës.
Provinca pakistaneze kufizohet me Afganistanin dhe ka përjetuar sulme të përsëritura terroriste muajt e fundit. Shumica e akteve të dhunës në të kaluarën pretendoheshin nga organizata e jashtëligjshme Tehrik-i-Taliban Pakistani pjesëtarët e së cilës janë të njohur si talibanët pakistanezë.