Lidhje

Sandu: Moska ka planifikuar një komplot për përmbysjen e qeverisë së Moldavisë


Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu tha të hënën se Moska ka planifikuar një komplot për të përdorur elementë të jashtëm për të përmbysur qeverinë e vendit të saj. Zonja Sandu tha se synimi ishte që të vihej Moldavia "në dispozicion të Rusisë" dhe bllokuar aspiratat e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Njoftimi i Presidentes Sandu vjen një javë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij kishte përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për të shkatërruar Moldavinë, pretendime që u konfirmuan më vonë nga zyrtarët e zbulimit moldav.

"Plani parashikonte akte të dhunshme nga individë me njohuri ushtarake, të kamufluar me rroba civile, të cilët do të sulmonin ndërtesa shtetërore dhe madje do të merrnin edhe pengje," u tha zonja Sandu gazetarëve në një konferencë për shtyp.

"Objektivi i këtyre veprimeve është përmbysja e rendit kushtetues, ndryshimi i pushtetit legjitim në Kishinau në një pushtet të paligjshëm," tha zonja Sandu, për ta vënë Moldavinë “në dispozicion të Rusisë dhe për të ndalur procesin e integrimit evropian."

"Përpjekjet e Kremlinit për të sjellë dhunë në vendin tonë nuk do të kenë sukses", premtoi ajo në mënyrë sfiduese.

Që kur Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës gati një vit më parë, Moldavia, një ish-republikë sovjetike me rreth 2.6 milionë banorë, është përpjekur të krijojë lidhje më të ngushta me partnerët e saj perëndimorë. Qershorin e kaluar, Moldavisë iu dha statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian, në të njëjtën ditë me Ukrainën.

Presidentja Sandu tha se midis tetorit dhe dhjetorit, policia moldave dhe shërbimi i saj i Zbulimit dhe Sigurisë, ose SIS, kanë ndërhyrë në "disa raste për frenuar elementë të krimit të organizuar dhe kanë ndaluar përpjekjet për dhunë."

Gjatë vitit të kaluar, Moldavia është përballur me një sërë problemesh, mes së cilave një krizë e rëndë energjetike pasi Moska reduktoi në mënyrë dramatike furnizimet me gaz; inflacioni në rritje; dhe disa incidente në muajt e fundit me raketa që kanë shkelur hapësirën e saj ajrore.

Autoritetet moldave konfirmuan se një tjetër raketë nga lufta në Ukrainë kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore të premten.

Zonja Sandu tha se Rusia do që ta përdorë Moldavinë në luftën kundër Ukrainës, pa dhënë më shumë detaje, dhe se informacioni i marrë nga shërbimet e zbulimit përmban, siç thotë ajo, udhëzime mbi rregullat e hyrjes në Moldavi për qytetarë nga Rusia, Bjellorusia, Serbia, dhe Mali i Zi.

"Ju siguroj se institucionet shtetërore po punojnë për të parandaluar këto sfida dhe për të mbajtur situatën nën kontroll," tha presidentja moldave.

Ajo tha se Parlamenti i Moldavisë duhet të miratojë projektligje për të pajisur Shërbimin e Zbulimit dhe Sigurisë dhe prokurorinë, "me mjetet e nevojshme për të luftuar në mënyrë më efektive rreziqet për sigurinë e vendit."

Presidentja shtoi se plani parashikon "mbështetjen tek disa forca të brendshme, por veçanërisht në grupe kriminale" duke përmendur dy oligarkë moldavë, Ilan Shor dhe Vladimir Plahotniuc, të cilët janë aktualisht në mërgim. Të dy ata janë sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe

Komentet e presidentes të hënën vijnë pas dorëheqjes të premten të kryeministres së Moldavisë, Natalia Gavrilita. Në të njëjtën ditë, presidentja Sandu emëroi këshilltarin e saj për mbrojtjen dhe sigurinë, ekonomistin pro-perëndimor Dorin Recean si kryeministër.

Të premten, pasi autoritetet moldave konfirmuan incidentin me raketa, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel u tha gazetarëve në Uashington se "Rusia ka mbështetur për vite me radhë fushatat e ndikimit dhe destabilizimit në Moldavi, të cilat shpesh përfshijnë përdorjen e korrupsionit për të çuar përpara synimet e saj".

XS
SM
MD
LG