Parlamenti i Maqedonisë së Veriut u mblodh të hënën pasdite për të miratuar kabinetin e riformatuar qeveritar, ku do të marrë pjesë Aleanca për Shqiptarët, ndërsa nga koalicioni largohet partia Alternativa.
Parlamenti së pari shkarkoi tre ministrat e partisë Alternativa dhe më pas vazhdoi debatin për miratimin e kandidatëve për ministra të rinj.
Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë Ministritë e Shëndetësisë, të Drejtësisë dhe të Shoqërisë Informatike, ndërkohë që merr edhe postet e zëvendës-ministrave të Mbrojtjes dhe Bujqësisë. Kjo parti ka tetë deputetë në parlament që mundësojnë një shumicë disi më të qëndrueshme, ndërkohë që Alternativa kishte tre deputetë, të cilët kalojnë në opozitë, ndërsa i katërti është deklaruar se do të veprojë si i pavarur.
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski tha se nuk është motivuar për të bërë riformatimin për shkak interesave të ngushta të asnjërës prej partive të koalicionit qeveritar por për shkak të vendosmërisë lidhur me rrugën që do të ndjek vendi. “Veprimi u ndërmor për t'iu kundërvënë synimeve të faktorëve negativë të brendshëm dhe të jashtëm për ta futur vendin në një krizë të re”, theksoi kryeminmistri Kovaçevski.