Lidhje

Luftimet në Kherson të Ukrainës kanë shkatërruar jetën e banorëve  


Një shtëpi e shkatërruar në fshatin Pravdyne, rajoni i Khersonit, Ukrainë - 6 Dhjetor, 2022.
Një shtëpi e shkatërruar në fshatin Pravdyne, rajoni i Khersonit, Ukrainë - 6 Dhjetor, 2022.

Gjatë vitit të parë të luftës, Rusia ka pushtuar dhe ka humbur pjesë të mëdha të Ukrainës dhe tani duket se po përpiqet të rimarrë një pjesë të të njëjtit territor. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, nga Khersoni, familjet e mbetura në zonat e luftimeve thonë se humbjet që kanë pësuar deri tani kanë qenë të mëdha.

Luftimet në Kherson të Ukrainës kanë shkatërruar jetën e banorëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Kur u pushtua nga Rusia vitin e kaluar, fshati Pravdyne në Kherson, u rrethua nga ushtria ukrainase dhe luftimet ishin të ashpra.

“Vija e frontit kaloi afër meje. Rusët qëndruan këtu, në të gjithë rrugën”, thotë banori i fshatit Pravdyne, Victor Sasunovich.

Pjesa më e madhe e zonës është shkatërruar, ose e mbushur me mina, por rajoni tani kontrollohet nga Ukraina.

Ushtarë-kukulla të vendosura nga trupat ruse për të trembur forcat ukrainase, tani nuk bëjnë roje kundër askujt.

Ky është aeroporti në dalje të qytetit të Khersonit. Niveli i shkatërrimit është i jashtëzakonshëm.

Secila palë ka sulmuar aeroportin disa herë, në mënyrë që pala tjetër mos të ishte në gjendje ta përdorte.

Brenda qytetit, nëpër tabela në rrugë shkruhet “Qytet Hero!” dhe “Jemi të Lirë!”.

Bombardimet vazhdojnë, por pjesa më e madhe e qytetit ende qëndron. Vendasit thonë se shumica dërrmuese e banorëve janë larguar shumë kohë më parë. Disa u larguan kur qyteti u pushtua nga forcat ruse. Të tjerë u larguan kur forcat ruse u tërhoqën.

Forcat ruse janë vetëm disa kilometra larg dhe banorët e mbetur në qytet thonë se nuk kanë ku të shkojnë, ose kanë shkuar aty nga zona edhe më të rrezikshme.

“Ne kemi ardhur në Kherson para 6 muajsh dhe kemi qenë vetëm një herë në shtëpinë tonë. Tani nuk mund të shkojmë më aty, pasi ura u shkatërrua”, thotë Olena Ignatenko, e zhvendosur në Kherson.

Zonja Ignatenko është nga fshati Pravdyne, ku shumica e shtëpive janë bosh, ose të shkatërruara.

“Kemi kaluar kohë shumë të vshtira. Na qëlluan shumë herë. Dritaret i kam rregulluar pa pushim derisa shtëpia u shkatërrua. Dita më e keqe ishte kur pashë tanke ruse të hynin në fshat”, thotë zoti Sasunovich, banor i fshatit Pravdyne.

Tani vetëm tanket e shkatërruara ruse kanë mbetur në fshat, por zoti Sasunovich thotë se kjo e ngushëllon pak atë pasi ka humbur shumë nga lufta.

Dhe pas një viti të plotë lufte, vendasit thonë se edhe nëse përfundon lufta nesër, ata duhet të përballen me një shkatërrim shumë të madh.

XS
SM
MD
LG