Lidhje

Shqipëri, protestë e banorëve të Dukagjinit për mosmbajtjen e premtimeve


Protestë e banorëve të Dukagjinit për mosmbajtjen e premtimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Protestë e banorëve të Dukagjinit për mosmbajtjen e premtimeve

Banorët e zonës malore të Dukagjinit e nisën protestën e tyre me një marshim të heshtur nga bashkia e Shkodrës drejt prefekturës, ku i kërkuan pushtetit vendor dhe atij qendror mbajtjen e premtimeve të njëpasnjëshme, të dhëna gjatë 25 viteve të fundit, për rindërtimin e rrugës prej 52 kilometrash, që lidh 30 fshatrat e tre njësive administrative të Dukagjinit.

E pamirëmbajtur dhe jashtë çdo kushti të sigurisë, rruga e Dukagjinit është shndërruar në rrugën e aksidenteve dhe pengesës së zhvillimit, duke nxitur largimin e banorëve drejt Shkodrës dhe zonave të tjera të vendit. Në protestë, njëri prej organizatorëve, Luigj Mila, lexoi kërkesat e banorëve të Dukagjinit.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale populli i Dukagjinit kërkon që të merren masat e nevojshme për ndërtimin dhe asfaltimin e segmentit rrugor që lidh njësitë administrative të Pultit, Shoshit dhe Shalës duke filluar nga fshati Prekal, në përputhje me normat e miratuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Të fillojë mirëmbajtja e rrugës ekzistuese derisa të nisin punimet për rrugën e re”, tha ai.

Me një histori dhe tradita të pasura, zona malore e Dukagjinit gjatë 30 viteve të fundit është përballur me problematika të shumta si izolimin për shkak të gjendjes së rrugës automobilistike, por edhe mungesën e shërbimeve sociale, më të domosdoshme për zonat e largëta malore.

Është pikërisht kjo situatë, që sipas njërit prej organizatorëve të protestës së sotme, Mark Rupa, që ka shtyrë banorët e Dukagjinit të thyejnë heshtjen.

“Është një rrugë që lidh tre njësi administrative të Shkodrës, lidh 30 fshatra malorë ndër më piktoreskët në Europë, një rrugë që ka shkaktu rreth 52 viktima, ka kriju bllokim të zonës, izolim të njerëzve, varfëri të madhe ekonomike, mungesë të mundësive të zhvillimit. Prandaj, sot komuniteti i Dukagjinit është mbledhur për të thyer heshtjen 30 vjeçare në lidhje me këtë rrugë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve që të ngrejnë zërin dhe t’i japin zgjidhje rrugës së Dukagjinit”, thotë ai.

Protesta e sotme e banorëve të Dukagjinit është në vazhdën e kërkesave të tyre të përsëritura ndër vite, drejtuar si qeveritarëve të djathtë ashtu edhe atyre të majtë, por në përgjigje të këtyre kërkesave ata thonë se kanë marrë vetëm premtime.

Pak muaj më parë edhe banorët e Komanit protestuan për gjendjen e rrugës automobilistike që lidh Komanin me Vaun e Dejës, pjesë e aksit rrugor që shkon drejt Tropojës. Dy vite me parë u premtua edhe rehabilitimi i kësaj rruge, por fondet nuk u miratuan duke e lënë këtë aks të rëndësishëm rrugor në gjendje thuajse të pakalueshme.

Pas protestës së sotme të banorëve të Dukagjinit, përmes nënkryetarit Tonin Deda, reagoi bashkia e Shkodrës, e cila bëri të ditur se, në fund të vitit të kaluar, ka bërë dy përpjekje për sigurimin e fondeve dhe se, në fillim të këtij viti, ka aplikuar me një projekt në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Bashkia premtoi një fond shtesë nga buxheti i saj per riaftësimin e rrugës.

“Ne, nga fondi 4 përqindësh i mbrojtjes civile do të ndajmë një fond shtesë dhe, përfundimisht, të restaurojmë, rehabilitojmë, këtë rrugë me vepra arti që të bëhet i mundur kalimi normal edhe me mjete të vogla nga Prekali, në Mal të Shoshit, Breg Lumit dhe Ndërlusaj”, thotë ai.

Ndërkohë, mbetet për të parë nëse edhe këto premtime do të mbesin në letër ashtu si shumë të tjera gjatë viteve.

XS
SM
MD
LG