Një vit pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, vendet anëtare të NATO-s në krahun lindor të saj, si Sllovakia e kanë kuptuar se sa me vlerë është anëtarësimi në aleancën ushtarake perëndimore. Krahas grupeve shumëkombëshe ushtarake që janë vendosur në shtetet afër kufirit me Rusinë, lufta në Ukrainë i ka nxitur ato të modernizojnë ushtritë e tyre gjithashtu. Me këtë shkas Bratislava është duke shqyrtuar dërgimin e të gjithë flotës së avionëve të vjetër sovjetik MIG-29 në Ukrainë dhe më pas t’i zëvendësojë ata me avionë modernë luftarakë.
Sllovakia momentalisht është një nga vendet që kanë mbrojtje si kurrë më parë, ç’ka i ka krijuar asaj mundësinë të dhurojë armë për forcat e armatosura ukrainase që po përballen me agresionin rus.
Pjesëtarë të forcave të armatosura nga vendet aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Poloninë, Holandën, Slloveninë dhe Republikën Çeke kanë formuar një grup beteje shumëkombësh në Sllovaki. Kjo është pjesë e nismës së NATO-s për të siguruar vendet anëtare të krahut lindor duke dërguar forca për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre.
“Mesazhi pas vendosjes së të gjitha atyre njësive është i thjeshtë. Detyra jonë është parandalimi i rrezikut duke treguar se jemi të pranishëm në hapësirën e krahut lindor të NATO-s. Qëllimi i pranisë sonë është të pengojmë një agresor të mundshëm në vendet anëtare të NATO-s”, tha koloneli çek Karel Navratil, komandanti i grupit të betejave të NATO-s në Sllovaki.
Njësi të ngjashme janë krijuar edhe në Hungari, Rumani dhe Bullgari pas sulmit të Rusisë në Ukrainë që filloi më 24 shkurt. Më 2017, grupe të tilla ishin krijuar në tri shtetet baltike dhe Poloni, duke nisur zgjerimin e pranisë së NATO-s nga Baltiku deri në Detin e Zi.
Stërvitja ushtarake u mbajt në qytetin Lest të Sllovakisë Qendrore, ku trupat e njësisë shumëkombëshe simuluan reagimet ndaj veprimeve kundërshtare, përfshirë një sulm me dron ose artileri, një luftë pas një sulmi kimik, ose rimarrjen e një zone të pushtuar nga armiku.
“Republika Sllovake është një vend më i sigurt në një botë më pak të sigurt. Ky do të ishte përshkrimi më i thjeshtë i situatës, sepse ne vërtet arritëm shumë gjëra brenda një viti, gjëra që dukeshin të paaritshme një vit më parë. Unë u jam shumë mirënjohës aleatëve tanë të NATO-s”, tha ministri i Mbrojtjes Jaroslav Nad.
Në Sllovaki po mbahen stërvitje të përbashkëta dimërore të NATO-s
Ndërsa vazhdojnë modernizimin e forcave të tyre të armatosura, sllovakët i kanë dhënë armatim të rëndë të epokës sovjetike fqinjit të tyre që përballet me agresionin rus, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore të epokës sovjetike S-300.
Mes kërkesave të njëpasnjëshme drejtuar vendeve perëndimore për avionë luftarakë, Sllovakia po shqyrton kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy t'i japë Kievit të gjithë flotën e saj të avionëve luftarakë MiG-29
“Ne nuk do t’i përdorim më kurrë avionët MiG. Ata nuk kanë asnjë vlerë reale për ne. Nëse ia japim Ukrainës, ata mund të ndihmojnë në shpëtimin e jetës së tyre atje. Në të njëjtën kohë, ne do të marrim fonde nga Mekanizmi Monetar Evropian, të cilat mund t'i përdorim për të blerë pajisje të reja dhe në këtë mënyrë për të forcuar mbrojtjen tonë. Pra, është me të vërtetë një fitore e favorshme për të gjithë të përfshirët”, tha më tej ministri sllovak i mbrojtjes.
Ndihma për Ukrainën tha ministri Jaroslav Nad shpëton jetë njerëzish atje ndërsa rrit mbrojtjen e Sllovakisë.