Lidhje

Kosovë, një serb i arrestuar për krime lufte


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha se është arrestuar një pjesëtar i kmunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-1999 në komunën e Kamenicës, rreth 60 kilometra në lindje të Prishtinës.

Sipas prokurorisë, i arrestuari që u identifikua me inicialet Z.A., “dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars të vitit 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe i armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kërcënuar me jetë për një orë e gjysmë”.

Po ashtu, thuhet në njoftim “ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, u ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj që kundërshtohet nga Beogradi, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së viteve 1998 – 1999 me ndërhyrjen e forcave të NATO-s.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës, ndërsa edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG